Kush konsiderohet bidatçi?

Pyetja:

Mes nxënësve të dijes janë shfaqur mospajtime rreth përkufizimit të bidatçiut. Disa prej tyre kanë thënë: ‘Bidatçi është ai që thotë ose vepron një bidat, edhe nëse argumenti nuk i është bërë i qartë.’

Të tjerë kanë thënë se është e domosdoshme që atij t’i bëhet i qartë argumenti. Ndërsa disa të tjerë kanë bërë dallim mes dijetarit muxhtehid dhe të tjerëve, të cilët i kanë themeluar parimet e tyre në kundërshtim me metodologjinë e Ehlu Sunetit dhe Xhematit.

Nga disa prej këtyre qëndrimeve ka dalë edhe shpallja e Ibën Haxherit dhe Neveviut si bidatçi, si dhe e ndalojnë lutjen me mëshirë për ta.

Përgjigjja:

Së pari: Nxënësit fillestarë të dijes, si dhe njerëzit e thjeshtë, nuk duhet të merren me shpalljen e të tjerëve si bidatçi apo fasikë, sepse kjo është një çështje e rrezikshme dhe ata nuk kanë njohuri e dije të mjaftueshme për të.

Për më tepër, kjo shkakton armiqësi dhe urrejtje mes tyre. Prandaj, detyrë e tyre është që të angazhohen me kërkimin e dijes dhe t’i ruajnë gjuhët e tyre nga gjërat që nuk sjellin dobi, por përkundrazi, u shkaktojnë dëm atyre dhe të tjerëve.

Së dyti: Bidati është diçka e futur në fe, e cila nuk është prej saj. Kjo mbështetet në fjalën e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem:

“Kushdo që shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” (Buhariu).

Nëse dikush vepron në kundërshtim me fenë për shkak të padijes, atëherë ai arsyetohet për shkak të padijes së tij dhe nuk gjykohet si bidatçi. Megjithatë, ajo që ka vepruar konsiderohet bidat.

Së treti: Sa i përket atij që ka gabime në çështje të ixhtihadit, ku ka bërë te’uil (interpretim), si Ibën Haxheri dhe Neveviu, dhe gabimeve që mund t’u kenë ndodhur në interpretimin e disa cilësive të Allahut, për të nuk gjykohet se është bidatçi. Përkundrazi, thuhet:

‘Ajo që u ka ndodhur atyre është gabim dhe shpresohet që Allahu t’i falë, për shkak të shërbimit të madh që i kanë bërë Sunetit të të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem. Ata janë dy imamë të mëdhenj, të besueshëm tek dijetarët.’

(El-Munteka min Fetaua el-Feuzan, 2/211–212)

Përktheu: Besim Gjelaj

Related Articles

Back to top button