Mos nxito në dhënien e fetvasë
Arabët, në kohën e injorancës para Islamit, kur kishin mosmarrëveshje, i drejtoheshin për gjykim një burri që quhej Amir ibnudh-Dharb el-Aduanij, i cili ishte idhujtar dhe vazhdonte të ishte në fenë e tij të injorancës.
Një herë, tek ai erdhi një delegacion nga njëri prej fiseve dhe i thanë: ‘O Amir! Mes nesh është një person që i ka të dyja organet gjenitale: atë të mashkullit dhe atë të femrës. Ne duam t’i caktojmë pjesën e trashëgimisë. A duhet ta trajtojmë si femër apo si mashkull?’
Amir ibnudh-Dharb, (ishte idhujtar) për dyzet ditë nuk dinte si t’u përgjigjej! Ai kishte një shërbëtore që i ruante delet, e cila quhej Suxhejle.
Ditën e dyzetë, ajo i tha: ‘O Amir! Mysafirët t’i kanë ngrënë delet dhe nuk të ka mbetur veçse pak. Më trego, çfarë të shqetëson?!’
Amiri i tha: ‘Kthehu te delet dhe kujdesu për to!’
Por ajo këmbënguli. Kur ajo nuk hoqi dorë, ai ia tregoi çështjen dhe i tha: ‘Nuk më ka ndodhur kurrë të përballem me një çështje kaq të vështirë!’
Shërbëtorja i tha: ‘O Amir, ku e ke mendjen?! Shiko se nga cili organ urinon!’ (Domethënë, nëse ky person urinonte përmes organit mashkullor, gjykoje si mashkull; e nëse urinonte përmes organit femëror, gjykoje si femër.)
Amiri i tha: ‘Ma zgjidhe këtë çështje, o Suxhejle!’
Pastaj i njoftoi njerëzit.
Imam Euzaiu, Allahu e mëshiroftë, duke komentuar këtë ngjarje, tha: “Ky ishte një njeri idhujtar! Ai nuk shpresonte në Xhenet, as nuk i frikësohej Zjarrit dhe as nuk e adhuronte Allahun, e megjithatë u ndal për dyzet ditë para se të jepte një përgjigje për një çështje!
Atëherë, si duhet të veprojë ai që shpreson në Xhenet dhe i frikësohet Zjarrit? Sa i kujdesshëm duhet të jetë kur merr përsipër të japë fetva dhe kur pyetet për një çështje që lidhet me Allahun e Lartësuar?!”
(el-Bidaje uen-Nihaje, 2/222)
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in