A lejohet shikimi i emisioneve me magjistarë dhe fallxhorë?
Pyetja: Disa kanale televizive transmetojnë intervista me magjistarë, fallxhorë dhe mashtrues që pretendojnë se dinë gjëra të fshehta. Disa muslimanë, Allahu i udhëzoftë, i shikojnë këto emisione për t’u argëtuar dhe për t’i njohur metodat dhe mënyrat e tyre. Cili është gjykimi për ata që i shikojnë këto emisione? A përfshihen ata në gjykimin e atyre që shkojnë te fallxhorët, për të cilët është transmetuar se namazi nuk u pranohet për dyzet ditë?
Përgjigjja: Dijetarët vazhdimisht kanë paralajmëruar kundër këtyre kanaleve dhe e kanë përsëritur se ato janë të ndaluara. Prandaj, muslimani duhet të qëndrojë larg tyre, të mos e marrë lehtë këtë çështje dhe të mos i sjellë këto kanale në shtëpinë apo në lokalin e tij. Muslimanët duhet të kenë kujdes të madh prej tyre. Nuk ka dyshim se, nëse dikush e hap një kanal të tillë dhe i shikon këto emisione, ai bën mëkat, sepse nuk është larguar prej tyre dhe nuk i ka braktisur. Prandaj, druhet se edhe atë mund ta përfshijë ky kërcënim se namazi i tij nuk pranohet për dyzet ditë, sepse ai është në gjykimin e atij që ka shkuar te fallxhorët. Nëse dikush e hap kanalin me qëllim që të shohë se çfarë transmetojnë ata, atëherë gjykimi i tij është si gjykimi i atij që shkon tek ata; nuk ka dallim mes tyre.
Megjithatë, në disa raste ka dallim: nëse dijetarët, njerëzit që kanë zell për fenë dhe ata që merren me urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja i hapin këto kanale me qëllim që të vëzhgojnë të këqijat që përmbajnë, në mënyrë që të paralajmërojnë kundër tyre dhe të punojnë për ndalimin e tyre, nëse kjo është e mundur, atëherë nuk ka të keqe. Ndërsa, personit që e kalon kohën duke i shikuar këto kanale, ose thotë se po i shikon vetëm për t’u njohur me përmbajtjen e tyre, pa pasur ndonjë rol në veprimet që mund të ndërmerren për t’u mbrojtur prej tyre, nuk i lejohet ta bëjë këtë.
Shejh Salih el-Feuzan, Allahu e ruajttë!
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in