Imani shtohet dhe pakësohet

Handhale el-Usejdi, radijAllahu anhu, tregon: Një ditë, më takoi Ebu Bekri radijAllahu anhu dhe më tha: Si je, o Handhale?

I thashë: Handhale është bërë munafik!

Ai tha: SubhanAllah! Çfarë po thua?!

I thashë: Kur jemi te i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem, ai na kujton Zjarrin dhe Xhenetin, saqë është sikur po i shohim me sytë tanë. Por, kur largohemi nga i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem dhe merremi me gratë, fëmijët dhe pasuritë tona, harrojmë shumë gjëra.

Ebu Bekri radijAllahu anhu tha: Për Allahun, edhe ne përjetojmë të njëjtën gjë!

Pastaj unë dhe Ebu Bekri shkuam te i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem. I thashë: O i Dërguari i Allahut, Handhale është bërë munafik!

Ai salAllahu alejhi ue selem më pyeti: “Çfarë është kjo?”

I thashë: O i Dërguari i Allahut, kur jemi te ti, na e kujton Zjarrin dhe Xhenetin, saqë është sikur po i shohim me sytë tanë. Por, kur largohemi prej teje dhe merremi me gratë, fëmijët dhe pasuritë tona, harrojmë shumë gjëra.

Atëherë, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem tha: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Sikur të qëndronit vazhdimisht në gjendjen në të cilën jeni kur jeni tek unë dhe gjatë përmendjes së Allahut, engjëjt do t’ju shtrëngonin duart në shtretërit tuaj dhe në rrugët tuaja. Por, o Handhale, herë kështu e herë ashtu (imani ndryshon, shtohet dhe pakësohet)!”

Këtë të fundit e përsëriti tri herë.

(Muslim, nr. 2750)

Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in

Related Articles

Back to top button