Kthimi te feja është rrugëdalja nga sprovat
Pyetësi thotë: Allahu ju ruajttë! Cila është këshilla juaj lidhur me këto sprova (fitne) me të cilat përballet njeriu, përballë ngjarjeve që po ndodhin në mbarë botën? Cili duhet të jetë qëndrimi i kërkuesit të dijes ndaj tyre?
Përgjigjja: Këto ngjarje nuk do të marrin fund, por do të shtohen, nëse muslimanët nuk kthehen te feja e tyre, nëse muslimanët nuk kthehen te feja e tyre me një kthim të saktë. Në të kundërtën, këto ngjarje do të shtohen dhe Allahu do t’i japë armiqve mundësi të mbizotërojnë mbi muslimanët.
O vëllezër! Kur ndodhi një gabim nga disa prej sahabëve në Betejën e Uhudit, ishte një gabim i vetëm nga disa prej tyre.
I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem i kishte vendosur ata në kodër, që t’ua mbronin shpinën muslimanëve nga jobesimtarët, në mënyrë që jobesimtarët të mos mund t’i sulmonin muslimanët nga prapa.
Kur beteja filloi dhe muslimanët fituan në fillim, ata nisën të mblidhnin plaçkën e luftës. I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem u kishte thënë të mos e linin kodrën, pavarësisht nëse do të fitojmë apo do të mposhtemi.
Mirëpo, kur panë se muslimanët po mblidhnin plaçkën e luftës, menduan se beteja kishte përfunduar. Prandaj thanë: ‘Të zbresim e t’u bashkohemi vëllezërve tanë në mbledhjen e plaçkës së luftës dhe t’i ndihmojmë ata në këtë gjë!’
Komandanti i tyre u tha: ‘A nuk ju ka thënë i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem që të mos e lini kodrën, pavarësisht nëse fitojmë apo mposhtemi?’ Por ata nuk iu bindën fjalës së tij dhe zbritën. Në vend mbetën vetëm ai dhe një numër i vogël shigjetarësh. Ata ranë dëshmorë, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
Idhujtarët e shfrytëzuan këtë rast, erdhën nga prapa, u ngjitën në kodër dhe iu vërsulën muslimanëve nga pas, ndërkohë që muslimanët nuk e kishin vërejtur këtë, sepse ndiheshin të sigurt se shpina e tyre ishte e mbrojtur. Kështu, muslimanët u gjendën të rrethuar nga jobesimtarët, si përpara, ashtu edhe prapa. Beteja rifilloi dhe muslimanët u goditën me plagë e vrasje. E gjithë kjo ndodhi për shkak të një gabimi! Madje, edhe i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem u plagos në këtë betejë, sepse kur vjen ndëshkimi, ai mund t’i përfshijë të gjithë, si të mirët, ashtu edhe të tjerët. Edhe të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem e goditi ajo që e goditi: iu thye njëri prej dhëmbëve të përparmë, iu thye përkrenarja mbi kokë dhe iu plagos mollëza e faqes, nga e cila i rridhte gjaku, alejhi salatu ues-selam!
E gjithë kjo ndodhi për shkak të kundërshtimit të urdhrit të të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem. Allahu i Lartësuar thotë:
“Vërtet Allahu e plotësoi premtimin e Vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por, kur ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Pejagmberin salAllahu alejhi ue selem), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit, (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër. Pastaj Ai, për t’ju provuar, bëri që të zmbrapseni para armikut dhe pastaj, sigurisht që jua fali atë gabim…” (Ali Imran, 152).
Edhe pse ndodhi ajo që ndodhi, Allahu i qetësoi duke u treguar se i kishte falur, në mënyrë që ata të mos shqetësoheshin se do të ndëshkoheshin për këtë më vonë. Ky është një shembull që tregon se, kur ndodh ndonjë mangësi apo gabim, edhe njerëzit më të mirë mund t’i nënshtrohen ndëshkimit. Atëherë, çfarë mund të thuhet për shumë prej muslimanëve sot, të cilët mjaftohen vetëm me pretendimin se janë muslimanë, por nuk e zbatojnë Islamin siç duhet? Ata nuk gjykojnë sipas Islamit, nuk besojnë në akiden islame, nuk i zbatojnë dënimet e përcaktuara nga Sheriati, nuk urdhërojnë për të mirë dhe nuk ndalojnë nga e keqja.
Prandaj, nuk duhet të çuditemi që sprovat po i godasin muslimanët sot.
Nuk ka rrugëdalje për muslimanët nga këto sprova, përveçse duke u kthyer te Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem. Po.
Shejh Feuzani, Allahu e ruajttë!
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in