Kuptimi i hadithit: “Kushdo prej jush që sheh një të keqe…”
Pyetja: Mesazhi i parë në këtë emision është një letër që na ka ardhur nga njëra prej motrave që na dëgjojnë. Letra është dërguar nga motra jonë Munire AbdUllah nga Rijadi. Motra jonë pyet dhe thotë: Ju lutem, na e shpjegoni hadithin e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, në të cilin thuhet:
“Kushdo prej jush që sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë me zemrën e tij, e ky është imani më i dobët.”
Përgjigjja: Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin udhëzimin e tij.
Më pas:
Ky hadith është prej haditheve autentike. Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e ka shënuar në Sahihun e tij, nga Ebu Seid el-Hudriu radijAllahu anhu që i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Kushdo prej jush që sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë me zemrën e tij, e ky është imani më i dobët.”
Kuptimi i këtij hadithi është se besimtari, po ashtu edhe besimtarja, kur shohin ndonjë të keqe, obligohen ta ndryshojnë atë me dorë, nëse kanë mundësi për këtë. Kjo vlen për udhëheqësin brenda kufijve të kompetencave të tij, për organet përgjegjëse brenda kufijve të kompetencave të tyre, për babanë me anëtarët e familjes së tij dhe për vëllain me anëtarët e familjes së tij, secili sipas mundësive që ka. Për shembull, mund ta derdhë verën, ta thyejë një vegël muzikore e të veprojë ngjashëm me këto.
Nëse nuk ka mundësi ta ndryshojë me dorë, atëherë le ta bëjë këtë me gjuhën e tij, duke thënë: ‘O rob i Allahut! Kjo nuk lejohet. O robëreshë e Allahut! Kjo nuk lejohet. Është obligim ta braktisni këtë gjë. Kini kujdes, sepse Allahu jua ka ndaluar këtë!’
Kështu duhet të veprojë çdo besimtar dhe çdo besimtare. Allahu i Lartësuar thotë:
وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ
“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat.” (Teube, 71).
E keqja është ajo që e kanë ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, ndërsa e mira është ajo që e kanë urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse besimtari ose besimtarja nuk kanë mundësi ta kundërshtojnë të keqen as me dorë e as me gjuhë, atëherë le ta kundërshtojnë me zemër. Pra, ta urrejnë të keqen me zemër, ndërsa Allahu e di se zemra e tyre e urren atë dhe dëshiron që ajo të zhduket.
Gjithashtu, ata nuk duhet të marrin pjesë në tubimet ku bëhet e keqja. Nuk duhet të marrin pjesë në tubimin ku pihet vera, ku ka vegla muzikore, ku përgojohen njerëzit dhe ku bartet fjala mes tyre, nëse nuk kanë mundësi ta kundërshtojnë të keqen as me dorë e as me gjuhë. Ky është kuptimi i hadithit. Allahu i dhëntë sukses të gjithëve! Moderatori: Allahumme amin! Allahu ju shpërbleftë me të mira dhe ju dhëntë mirësi! Pra, meqë kundërshtimi i së keqes ka shkallë të ndryshme, ai që e kundërshton të keqen duhet t’i shqyrtojë këto shkallë, në mënyrë që të mos bjerë në gabim?
Shejhu: Po, ai duhet t’i shqyrtojë ato, në mënyrë që ta kryejë detyrimin që ka. Nëse është prej atyre që kanë mundësi, siç janë organet e autorizuara, të cilat veprojnë brenda kufijve të udhëzimeve të tyre, atëherë e kundërshtojnë të keqen me veprim. Kështu veprojnë edhe prijësi, babai me anëtarët e familjes së tij dhe sundimtari, secili sipas mundësive që ka. Ndërsa ai që nuk ka mundësi ta kundërshtojë të keqen me dorë, e kundërshton atë me gjuhë. Ai thotë: ‘Jo, kjo nuk lejohet! Kijeni frikë Allahun! Kini parasysh mbikëqyrjen e Tij! Ruhuni nga kjo gjë! Braktiseni këtë gjë!’ dhe shprehje të ngjashme me këto, duke përdorur mënyra të mira të të shprehurit, të cilat bëjnë që e keqja të braktiset dhe njeriu të bindet për domosdoshmërinë e kapjes pas së vërtetës.
Nëse nuk ka mundësi ta kundërshtojë as me dorë e as me gjuhë, atëherë mbetet zemra: ai e urren të keqen me zemër dhe Allahu e di se zemra e tij e urren atë. Gjithashtu, nuk merr pjesë në tubimet ku veprohet e keqja. Po.
Moderatori: Allahu ju shpërbleftë me të mira dhe ju dhëntë mirësi!
Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë!
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in