Si bashkohet hadithi: “Do të vazhdojë të jetë një grup nga umeti im…” me hadithin: “Kiameti nuk do të bëhet veçse mbi njerëzit më të këqij”?

Pyetja:

Thotë: Allahu ju shpërbleftë me të mira. Kërkojmë përgjigje për këto pyetje rreth haditheve: Si bashkohet hadithi: “Do të vazhdojë të jetë një grup nga umeti im…” me hadithin: “Kiameti nuk do të bëhet veçse mbi njerëzit më të këqij”? Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.

Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, dëshiroj të them se nuk mund të ketë kundërshtim ndërmjet ajeteve të Kuranit, as ndërmjet haditheve të sakta të të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, as ndërmjet Kur’an-it dhe Sunetit të saktë të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, as ndërmjet Kur’an-it dhe Sunetit me realitetin e gjërave, dhe as ndërmjet Kur’an-it dhe Sunetit me arsyen e shëndoshë.

Kjo sepse Kur’an-i është Fjala e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ ٱلۡقُرۡءَانَۚ وَلَوۡ كَانَ مِنۡ عِندِ غَيۡرِ ٱللَّهِ لَوَجَدُواْ فِيهِ ٱخۡتِلَٰفٗا كَثِيرٗا

“A nuk e meditojnë ata Kuranin? Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (Nisa, 82)

Fjala e Allahut të Madhëruar është e vërtetë, ndërsa e vërteta nuk bie në kundërshtim me vetveten. Po kështu, edhe Suneti i saktë që është transmetuar nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është i vërtetë, dhe e vërteta nuk bie në kundërshtim me të vërtetën.

Duke u bazuar në këtë rregull, kalojmë te përgjigjja e pyetjes.

Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë:

“Do të vazhdojë të jetë një grup nga umeti im që qëndron në të vërtetën, të dukshëm dhe triumfues. Nuk do t’i dëmtojë ai që i braktis, e as ai që i kundërshton, derisa të vijë Urdhri i Allahut.”

Në një transmetim tjetër thuhet:

“…derisa të bëhet Kiameti.”

Ndërsa Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“Kiameti nuk do të bëhet veçse mbi njerëzit më të këqij.”

Kuptimi i hadithit të parë është se me fjalën “Kiameti” nënkuptohet afrimi i Kiametit, ndërsa me shprehjen “derisa të vijë Urdhri i Allahut” nënkuptohet urdhri i Allahut me të cilin do të vdesin besimtarët dhe evliatë e devotshëm të Allahut.

Kur të vdesin besimtarët dhe të devotshmit, nuk do të mbeten më veçse njerëzit më të këqij. Dhe mbi këta do të ndodh Kiameti.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!

(Nurun ala Dërb, kaseta nr. 272)

Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi IslamYouTube-inTelegramin dhe Facebook-in.

Related Articles

Back to top button