Muhamed ibën AbdulUehabi dhe thirrja e tij
E më pas, Allahu i Lartësuar i ka dhuruar këtij umeti një mirësi të madhe: Ai dërgon në krye të çdo njëqindvjeçari dikë që ia ripërtërin këtij umeti fenë, siç përmendet në hadith. Ndër ata që e ripërtëritën fenë ishte edhe shejhu, imami Muhamed ibën AbdulUehab, Allahu e mëshiroftë, në këto troje. Ai mësoi te dijetarët e vendit të tij shkencat që mësoheshin atëherë, si fikhun, gjuhën arabe dhe shkenca të tjera që mësoheshin atëkohë.
Në përgjithësi, dijetarët e Nexhdit merrnin dije nga dijetarët hanbeli të Shamit. Ata e merrnin dijen nga hanbelitë, nga dijetarët e Shamit. Mirëpo, ashtu si shumë njerëz të kohës së tyre, ata nuk i kushtonin rëndësi të mjaftueshme akides, e cila ishte ndikuar nga besëtytnitë, gjërat e shirkut dhe akidja e esharive. Akidja e esharive ishte më e përhapura, megjithëse ekzistonin edhe akidja e mu’tezilive dhe ajo e xhehmive. Megjithatë, ajo që mbizotëronte ishte akidja e esharive. Dijetarët e Nexhdit nuk dilnin nga kjo gjendje. Ata i kushtonin rëndësi fikhut. Po, mes tyre kishte dijetarë me njohuri të thella në fikh, por, si të tjerët, kishin edhe besëtytni, veprime që përmbanin shirk dhe interpretime të cilësive të Allahut. Kjo ishte gjendja e tyre.
Shejhu, Allahu e mëshiroftë, u rrit mes dijetarëve të vendit të tij, por më pas iu drejtua librave të dy dijetarëve të mëdhenj: shejhul-Islam Ibën Tejmijes dhe nxënësit të tij, Ibnul-Kajjimit. Ai mori shumë dije nga librat e këtyre dy imamëve, të cilat ia bënë të qartë akiden e saktë, akiden e selefëve të devotshëm. Sepse Allahu kishte caktuar që ai të ishte ripërtëritësi i fesë në shekullin e tij. Ai iu përkushtua librave të këtyre dy imamëve, i studioi me vëmendje, i lexoi dhe i kopjoi me dorë, sepse në atë kohë nuk kishte shtypshkronja. Ai kopjonte librat e tyre që arrinte t’i gjente. Kështu që, iu bë e qartë gjendja e banorëve të vendit të tij, si dhe gjendja e botës islame në atë kohë. Njerëzit i kushtonin rëndësi fikhut, e ndoshta edhe hadithit dhe tefsirit, por në akiden e tyre kishte shumë elemente të huaja, të cilat i kishin trashëguar nga shujuhët e tyre.
Ky i ri iu përkushtua librave të dy dijetarëve: Imam Ibën Tejmijes dhe Imam Ibnul-Kajjimit. Në të vërtetë, më shumë bazohej te shejhul-Islam Ibën Tejmije, ndërsa Ibnul-Kajjimi ishte nxënësi i tij. Ai e kuptoi gjendjen e banorëve të vendit të tij dhe të njerëzve të tjerë lidhur me akiden, si dhe ndotjet e mbetjet që kishin depërtuar në të. Atëherë, në zemrën e tij lindi vendosmëria që të mos heshtte përballë kësaj gjendjeje, ashtu siç kishin heshtur të tjerët. Ai vendosi të mos heshtte, por të përpiqej të thërriste në fenë e Allahut, të sqaronte Teuhidin, të ndalonte nga shirku dhe të tërhiqte vëmendjen ndaj gabimeve që ekzistonin në kohën e tij. Në trojet e Nexhdit kishte shirk te varret, te pemët dhe në shpellat e maleve, ashtu siç ndodhte edhe në vende të tjera.
Atje gjendej edhe varri i Zejd ibnul-Hattabit, Allahu qoftë i kënaqur me të, njëri prej dëshmorëve të luftërave kundër dezertimit nga Islami. Në atë kohë, varri i tij ishte i njohur dhe mbi të ishte ndërtuar një kupolë. Njerëzit kërkonin bereqet nëpërmjet tij dhe shkonin tek ai. Gjithashtu, në zonën e Riadit kishte një grup sufistësh, pasues të Ibën Arabiut, të cilët besonin në uah’detul-vuxhud (unitetin e ekzistencës). Ata banonin në jug të Riadit, në një vend të njohur si Me’kal. Mes tyre kishte edhe magjistarë, te të cilët njerëzit shkonin për të kërkuar bereqet. Shejhu nuk mund të heshtte përballë kësaj gjendjeje, pasi e kishte kuptuar se ajo ishte e kotë. Ai udhëtoi nëpër vende të ndryshme, shkoi në dy Haremet e Shenjta, u takua me dijetarë dhe mori prej tyre dije në hadith, si dhe aq sa mundi nga shkencat e tjera.
Më pas shkoi në Ahsa, ku mori dije nga dijetarët hanbeli dhe studioi librat e medh’hebit. Megjithatë, ai nuk pajtohej me ta në çështjet e akides dhe debatoi me ta rreth tyre. Debatoi me ta rreth tyre, por ata nuk e pranuan atë që u paraqiti. Pastaj shkoi në Basra të Irakut, ku kishte dijetarë. Atje studioi te një dijetar që quhej shejh El-Mexhmu’i. Ky dijetar kishte njëfarë gatishmërie për ta pranuar të vërtetën. Për këtë arsye, shejhu dëshironte të qëndronte tek ai, studioi me të dhe bisedoi me të rreth këtyre çështjeve. Ai arriti të krijonte njëfarë mirëkuptimi me të lidhur me gjendjen, por nuk mundi të vazhdonte më tej. Më pas, shejhu vendosi të shkonte në Sham. U nis drejt tij me qëllim që të kërkonte dije, të takohej me dijetarët dhe të diskutonte me ta. Mirëpo, gjatë rrugës u detyrua të ndalej, sepse nuk mundi të vazhdonte. Për pak sa nuk humbi jetën, prandaj u kthye në Basra, si dhe nuk iu mundësua të shkonte në Sham. Pastaj u kthye në vendlindjen e tij, në Nexhd. Atje ishte babai i tij, shejh AbdulUehabi, i cili ushtronte detyrën e gjykatësit. Ai ishte vendosur në Hurejmila.
Shejhu qëndroi pranë babait të tij dhe filloi të fliste për Teuhidin, të diskutonte me të dhe me ata që uleshin për të dëgjuar. Mirëpo, nuk gjeti te ata gatishmërinë e duhur për ta pranuar thirrjen e tij. Përkundrazi, disa njerëz mendjelehtë dhe njerëz të zhytur në mëkate, të cilëve ai ua kundërshtonte veprimet, deshën ta vrisnin. Ata synuan ta sulmonin në shtëpinë e tij, por dikush e paralajmëroi. Kështu, ai u largua prej andej, ndërsa babai i tij mbeti në atë vend. Më pas shkoi në Ujejne, ku sundimtar ishte Uthman ibën Muammeri. Ai ia paraqiti sundimtarit thirrjen e tij dhe ia shpjegoi shpërblimin që do të fitonte nëse e mbështeste atë. Sundimtari e pranoi propozimin. Atëherë, shejhu dëshiroi ta rrënonte kupolën e ndërtuar mbi varrin e Zejd ibnul-Hattabit.
Ai ia paraqiti këtë ide princit, i cili u pajtua me të. Të dy dolën për ta rrënuar kupolën. Princi tha: ‘Unë nuk do ta rrënoj me dorën time.’
Shejhu i tha: ‘Unë do ta rrënoj.’ Pastaj mori sëpatën dhe e rrënoi kupolën. Ky ishte hapi i parë që ndërmori në këtë drejtim.
Lajmi u përhap me shpejtësi dhe arriti te sundimtari i Ahsas, Ibën Urejri. Ai e urreu rrënimin e saj, ose njerëzit e këqij e kundërshtuan rrënimin e kupolës dhe e nxitën atë kundër shejhut. Ibën Urejri e kundërshtoi rrënimin e kupolës dhe i shkroi Ibën Muammerit: ‘Largoje prej teje këtë mutau’a (njeri që i përkushtohet adhurimit) që ke pranë, përndryshe do ta ndërpres ndihmën financiare që të jap.’ Me këtë, ai e kërcënoi se do t’ia ndërpriste pagesën që i jepte. Ibën Muammeri ia paraqiti këtë çështje shejhut dhe i tha: ‘Unë nuk mund ta kundërshtoj princin Ibën Urejrin. Nuk kam mundësi ta bëj këtë.’
Shejhu, Allahu e mëshiroftë, e kuptoi se sundimtari dëshironte të tërhiqej dhe të mos e mbështeste më. Prandaj, u largua nga Ujejne në kohën e mesditës, kur vapa ishte e madhe. Nuk kishte me vete asgjë, përveç një freskueseje dore, me të cilën përpiqej ta freskonte veten. Gjatë rrugës përsëriste ajetin:
“Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi), dhe do ta furnizojë prej nga nuk e pret.” (Talak, 2-3).
Ai vazhdoi ta përsëriste këtë ajet derisa shkoi në Dirije, ku ndodhej Ibën Su’udi, sundimtari i saj. Në Dirije ishte Muhamed ibën Su’ud, Allahu e mëshiroftë. Shejhu kishte një nxënës në Dirije, të cilin e quanin Ibën Suvejlim. Në atë kohë, njerëzit ishin larguar prej shejhut dhe kishin filluar të ruheshin prej tij. Prandaj, ai shkoi te nxënësi i tij, Ibën Suvejlimi, dhe hyri tek ai fshehurazi. Ibën Suvejlimi u frikësua dhe u shqetësua kur e pa shejhun, por shejhu e qetësoi dhe e inkurajoi lidhur me këtë çështje. Gruaja e princit Muhamed ibën Su’ud dhe vëllai i tij, i cili ishte i verbër, dëgjuan për këtë. Si burri, ashtu edhe gruaja u bindën nga thirrja e shejhut dhe e deshën atë. Gruaja i tha Muhamed ibën Su’udit: ‘Kjo është një plaçkë e çmuar që Allahu ta ka sjellë. Shfrytëzoje këtë mundësi! Ky shejh ka ardhur për të thirrur në fenë e Allahut. Përfito nga kjo mundësi!’
Ai tha: ‘Le të vijë ai tek unë. S’ka gjë të keqe.’ Ajo i tha: ‘Jo! Nëse ti e thërret atë, njerëzit do të thonë se po e thërret për ta vrarë. Por, nëse shkon ti tek ai, kjo do të jetë më e ndershme për ty.’ Prandaj, princi shkoi tek shejhu, në shtëpinë e Ibën Suvejlimit, dhe hyri tek ai. Shejhu u ngrit, e përshëndeti dhe ia paraqiti thirrjen e tij. Princi i tha: ‘Gëzohu, sepse do të kesh përkrahje dhe fitore!’
Ndërsa shejhu i tha: ‘Edhe unë po të përgëzoj se do të kesh përkrahjen e Allahut të Plotfuqishëm!’ Kjo është fjala e Teuhidit. Kush e merr përsipër atë dhe vepron sipas saj, Allahu i Plotfuqishëm e ndihmon dhe e udhëzon drejt së saktës. Kështu, ata lidhën marrëveshje që princi të angazhohej në xhihad, ndërsa shejhu të thërriste në fenë e Allahut të Plotfuqishëm. Ata u morën vesh që princi të kishte në dorë pushtetin dhe udhëheqjen e xhihadit, ndërsa shejhu të merrej me dijen, fetvatë dhe mësimdhënien.
Pasi u lidh kjo marrëveshje, shejhu u vendos në Dirije.
Nxënësit e dijes filluan të vinin tek ai nga të gjitha anët. Dirijeja lulëzoi me nxënës dije dhe me njerëz që vinin për të përfituar prej saj. Kjo ishte fitorja e parë dhe përkrahja e parë. Gjatë udhëtimit të tij në Irak, në Basra, ku qëndroi te shejhu i tij, El-Mexhmu’i, shejhu kishte shkruar librin Kitabut-Teuhid, që trajton të drejtën e Allahut ndaj robërve. Ai e shkroi këtë libër duke u mbështetur në fjalët e Allahut, fjalët e të Dërguarit të Tij dhe fjalët e selefëve të devotshëm. Ky libër, të cilin e keni para vetes, trajton teuhidin uluhije. Ai sqaron se çfarë e kundërshton këtë Teuhid, siç është shirku, dhe çfarë e cenon ose e pakëson atë, si shirku i madh dhe shirku i vogël që e cenon Teuhidin, si dhe risitë fetare që e kundërshtojnë përsosmërinë e tij të detyrueshme. Shejhu e shkroi këtë libër, e solli me vete dhe filloi t’ua mësonte nxënësve në Dirije.
Libri u përhap dhe njerëzit përfituan prej tij. Që nga ajo kohë, u themelua shteti i Teuhidit, nëpërmjet dy imamëve: imamit Muhamed ibën Su’ud dhe imamit shejh Muhamed ibën AbdulUehab, Allahu i mëshiroftë të dy! Më parë, Ibën Su’udi sundonte vetëm mbi Dirijen. Ai nuk kishte ndonjë mbretëri përtej saj. Mirëpo, kur e përkrahu këtë thirrje, Allahu bëri që të gjitha trojet e Nexhdit të hynin nën sundimin e tij. Kështu, ai u bë sundimtar i të gjithë Nexhdit, pasi më parë sundonte vetëm mbi qytetin e Dirijes. Këto janë frytet e përpjekjes për hir të Allahut të Plotfuqishëm. Në atë kohë, njerëzit e së keqes, ata që ndiqnin interesat financiare dhe ata që kishin ambicie për pushtet e përfitime, u ngritën kundër shejhut dhe shkruan kundërshtime ndaj tij. Shejhu iu përgjigj atyre me përgjigje që gjenden ende të ruajtura. Ai u dha përgjigje të qarta dhe bindëse, të cilave ata nuk mundën t’u kundërpërgjigjeshin. Falënderimi i takon Allahut!
Shejhu e shkroi Kitabut-Teuhidin duke u mbështetur në ajetet e Allahut, hadithet e të Dërguarit të Allahut dhe fjalët e selefëve të devotshëm. Ai nuk e shkroi librin duke u mbështetur në fjalët e veta dhe nuk solli mendime personale si bazë të tij. Përkundrazi, libri u përpilua duke u mbështetur në ajete, hadithe dhe fjalët e selefëve. Askush nuk mund t’i kundërshtojë këto argumente. Askush nuk ka mundësi ta kundërshtojë Kuranin, Sunetin dhe fjalët e selefëve të devotshëm. Nëse libri do të mbështetej në fjalët personale të shejhut, kundërshtarët ndoshta do të mund të gjenin hapësirë për ta kundërshtuar. Por askush nuk mund ta kundërshtojë Kuranin, Sunetin dhe fjalët e selefëve në këtë mënyrë. Prandaj, ky libër u bë një nga veprat më të rëndësishme të thirrjes në fenë e Allahut të Plotfuqishëm. Ai u bë një udhërrëfyes për Teuhidin dhe një libër që paralajmëron kundër shirkut.
Falënderimi i takon Allahut, ky libër vazhdon të jetë në duart e muslimanëve, të cilët e studiojnë dhe e mësojnë. Ai e kaloi Nexhdin dhe trojet e Arabisë Saudite, duke u përhapur edhe në vende të tjera, si në Egjipt dhe Sham, derisa arriti edhe në Indi.
Allahu i solli dobi botës islame nëpërmjet këtij libri, si rezultat i sinqeritetit ndaj Tij dhe vërtetësisë në raport me Allahun e Plotfuqishëm. Nxënësit e dijes filluan ta mësonin përmendësh, ta ruanin në kujtesë dhe të studionin komentimet e shpjegimet e tij. Kështu, Allahu e bëri të qartë të vërtetën dhe i rrëzoi të pavërtetat. Ata që e kundërshtuan shejhun nuk lanë pas vetes ndonjë gjurmë të qëndrueshme: as librat e tyre nuk mbetën me ndikimin e dikurshëm, as dyshimet e tyre nuk vazhduan të përhapen, ndërsa thirrja e shejhut vazhdoi të qëndronte. Falënderimi i takon Allahut!
Kështu është e vërteta. Sa i përket shkumës, ajo zhduket dhe largohet, ndërsa ajo që u bën dobi njerëzve mbetet në tokë.
Ky libër është trajtuar nga dijetarë të ndryshëm, të cilët kanë shkruar komente dhe shpjegime për të. I pari që e komentoi ishte nipi i shejhut, shejh Sulejmani, shejhu i ri, ibën AbdUllah ibën Muhamed ibën AbdulUehab, Allahu e mëshiroftë. Ai e komentoi në librin me titull Tejsirul-Azizil-Hamid sher’h Kitabut-Teuhid. Ky është një komentim i pasur me dije, që përmban njohuri të thella në akide, shkencën e hadithit dhe fjalët e selefëve. Pra, këtij libri iu shtua një komentim i shkëlqyer dhe i pasur me dije. Mirëpo, autori nuk arriti ta përfundonte, sepse u vra para se ta përfundonte, Allahu e mëshiroftë.
Atë e vrau i poshtri Ibrahim Pasha, kur pushtoi Dirijen. Pasi përfunduan luftimet, ai lidhi marrëveshje me imamin AbdUllah ibën Su’ud, sipas së cilës imami do të dorëzohej dhe do të dërgohej në Stamboll, te sulltani osman i asaj kohe, sulltani turk. Gjithashtu, ishte rënë dakord që banorët e Dirijes të mos prekeshin dhe luftimet të ndërpriteshin. Princi dhe imami AbdUllah ibën Su’ud u dorëzua, duke vepruar në përputhje me marrëveshjen që kishin lidhur. Pastaj e dërguan në Stamboll. Ndërsa dijetarët e Dirijes i dërguan në Egjipt. Mirëpo, i poshtri e tradhtoi marrëveshjen, e rrënoi Dirijen mbi banorët e saj dhe i shpërndau ata.
Shejh Sulejman ibën AbdUllah e përmend këtë në librin e tij Ed-Delail fil-Uela uel-Bera. Disa njerëz të së keqes dhe hipokritë e nxitën kundër tij, e thirrën dhe e vranë. Kjo ishte tradhti dhe pabesi. Kështu ndodhi. Mirëpo, a u shua kjo thirrje?
Kjo është një prej mrekullive të saj: thirrja nuk u shua, falënderimi i takon Allahut! Po, pasuesit e saj u goditën nga sprova të rënda dhe shpresojmë që Allahu ta bëjë këtë pjesë të veprave të tyre të mira dhe të xhihadit të tyre në rrugën e Tij. Mirëpo, thirrja nuk u ndikua dhe nuk u dobësua. Përkundrazi, dijetarët që shkuan në Egjipt ndikuan te dijetarët e atjeshëm. Dijetarët egjiptianë u ndikuan prej tyre dhe përfituan nga dija e tyre. Falënderimi i takon Allahut! Prandaj, kjo thirrje vazhdon të qëndrojë, të jetë aktive dhe të përhapet, falënderimi i takon Allahut, madje edhe në vende të ndryshme të botës. Kjo ndodh sepse është thirrje drejt Kuranit dhe Sunetit. Ajo nuk është thirrje drejt një medh’hebi të caktuar, as thirrje drejt një shteti apo diçkaje tjetër. Përkundrazi, është thirrje drejt Kuranit dhe Sunetit. Për këtë arsye, ajo pati sukses. Sikur të kishte ndonjë synim tjetër, si thirrja drejt një medh’hebi të caktuar apo drejt një shteti, nuk do të kishte pasur këtë sukses. Mirëpo, meqë është thirrje drejt Kuranit dhe Sunetit, ajo pati sukses dhe vazhdon të jetë e tillë, falënderimi i takon Allahut.
Ky libër u trajtua nga dijetarë të ndryshëm, të cilët shkruan komentime për të. I pari që e komentoi ishte shejh Sulejman ibën AbdUllah ibën Muhamed ibën AbdulUehab, nipi i autorit. Ai ishte një i ri i devotshëm dhe dijetar me njohuri të thella, ndonëse nuk i kishte kaluar të tridhjetat kur u vra. Dhe nuk arriti ta përfundonte librin e tij Tejsirul-Azizil-Hamid sher’h Kitabut-Teuhid.
Më pas erdhi një tjetër nip i shejhut, AbduRrahman ibën Hasan ibën Muhamed ibën AbdulUehab. Ai e mori këtë komentim, e përmblodhi, e përpunoi dhe e plotësoi me kapitujt e mbetur të librit që keni para vetes. Pra, ai shkroi Fet’hul-Mexhid li Sher’hi Kitabut-Teuhid, një komentim të librit Kitabut-Teuhid. Ai shkroi edhe një komentim tjetër më të shkurtër, me titull Kurretu Ujunil-Muvehhidin li Teuhidi el-Enbija uel-Murselin.
Pra, shejh AbduRrahmani ka dy komentime. I pari është më i gjatë dhe përbën një përmbledhje të komentimit të djalit të axhës se tij, shejh Sulejmanit, të cilin e përpunoi dhe e përmblodhi. Ndërsa komentimi i dytë është Kurretu Ujunil-Muvehhidin. Ky ishte komentimi i parë i shkurtuar i veprës Tejsirul-Azizil-Hamid. Më pas erdhën edhe përmbledhje të tjera të Fet’hul-Mexhidit. Ndër më të hershmet ishte libri Ibtalut-Tendidi fi Bejani Teuhid, i shejh Hamëd ibën Atikut, Allahu e mëshiroftë. Ky libër është një përmbledhje e Tejsirul-Azizil-Hamidit dhe, në të njëjtën kohë, një përmbledhje e Fet’hul-Mexhidit. Më pas u shkruan edhe shënime dhe sqarime plotësuese për këto komentime. Ndër to janë: Shënimet e shejh Ibën Kasimit të Kitabut-Teuhid. Shënimet e shejh Ebu Butejnit në komentimin e Kitabut-Teuhidit. Libri i shejh Ibën Sa’dit, El-Kaulus-Sedid fi Mekasidit-Teuhid.
Ky libër trajton titujt e kapitujve që shejhu ka përfshirë në Kitabut-Teuhid dhe synimet që qëndrojnë pas tyre. Prandaj, titulli i tij është El-Kaulus-Sedid fi Mekasidit-Teuhid.
Këtë libër e komentuan shejh Fejsal ibën Mubareku dhe shejh Sulejman ibën Hamdani. Përveç tyre, libri u komentua edhe nga shumë dijetarë të tjerë, falënderimi i takon Allahut! Më pas u shfaqën edhe forma të tjera të komentimeve. Disa prej tyre përgatiteshin duke u bazuar në regjistrimet audio të mësimeve të dijetarëve. Shujuhët e ligjëronin librin dhe mësimet e tyre regjistroheshin. Pastaj dikush i transkriptonte regjistrimet në formë të shkruar, i shqyrtonte, i përpunonte dhe i rregullonte. Më pas botoheshin si komentime dhe shënime plotësuese, falënderimi i takon Allahut! Kështu, ky libër u pasurua me shumë komentime dhe shënime plotësuese. Ai mori një vëmendje të jashtëzakonshme, për shkak të dijes së bollshme që përmban.
Kjo dije është e ngritur duke u mbështetur në Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Autori nuk ka thënë: ‘Kjo është akidja e hanbelive’, as ‘Kjo është akidja e banorëve të Nexhdit’, e as ‘Kjo është akidja e filanit’.
Përkundrazi, ai e quajti librin Kitabut-Teuhid (Libri i teuhidit) , i cili është e drejta e Allahut ndaj robërve. Për këtë arsye, ky libër arriti sukses të madh, u pranua gjerësisht dhe u begatua. Falënderimi i takon Allahut! Allahu u solli dobi njerëzve nëpërmjet tij.
Shejh Salih elFeuzan, Allahu e ruajttë!
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.