Termi ‘Vehabij’ përdoret nga armiqtë e selefit!

shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Termi ‘Vehabij’ përdoret nga armiqtë e selefit për ndjekësit e shejhut, imamit Muhamed ibën AbdulUehhab.

Ai filloi me thirrjen për tek Allahu në gjysmën e dytë të shekullit të dymbëdhjetë (hixhrij), në Nexhd, në Dir’ijje dhe rrethinat e saj.

Ai thirri në Teuhid dhe i kundërshtoi njerëzit për lidhjen e tyre me varret, të vdekurit dhe idhujt, si dhe për besimin te fallxhorët dhe astrologët, dhe adhurimin e pemëve dhe gurëve – sipas metodës së selefëve të mirë, në rrugën me të cilën Allahu e dërgoi Pejgamberin e Vet Muhamedin salAllahu alejhi ue selem, dhe në rrugën që ndoqën shokët e tij radijAllahu anhum.

Ai thirri për tek Allahu dhe bashkë me të thirrën edhe dijetarët që Allahu i udhëzoi për ta njohur të vërtetën, nga të afërmit e tij, bijtë e tij dhe të tjerë. Allahu e bëri që përmes tij të shfaqej feja dhe e largoi të keqen nga Nexhdi dhe rrethinat e tij.

Pastaj thirrja e tij u përhap në Jemen, Sham, Irak, Egjipt, Indi dhe vende të tjera.

Dijetarët e mirëfilltë e njohën saktësinë dhe drejtësinë e thirrjes së tij, dhe se ai ishte në udhëzim dhe në rrugë të drejtë.

Në të vërtetë, ai ishte një ripërtëritës i asaj që ishte zbehur nga shenjat e Islamit, dhe nuk ishte shpikës (bidatçi), nuk solli fe të re dhe as medh’heb të ri; por thirri në Teuhidin e Allahut, në ndjekjen e sheriatit të Tij dhe në ecjen sipas metodës së selefëve të mirë, prej sahabëve dhe atyre që ndoqën rrugën e tyre.

Ky është medh’hebi i shejh Muhamed ibën AbdulUehhab dhe i pasuesve të tij: ata ecën sipas metodologjisë (men’hexhit) së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selam dhe pasuesve të tij prej sahabëve dhe atyre që erdhën pas tyre nga njerëzit e dijes dhe besimit.

Por ata kanë kundërshtarë, kështu që gënjeshtarët shpifën ndaj tyre që të justifikojnë derdhjen e gjakut të tyre. Ata shpifën duke thënë: se ata janë një medh’heb i pestë, se ata e shajnë Pejgamberin dhe i shajnë sahabët, dhe e gjithë kjo është gënjeshtër dhe e pavërtetë.

Përkundrazi, ata janë ndër njerëzit që e duan më së shumti Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem; ata janë në rrugën e sahabëve. Pejgamberi është më i dashur për ta se vetet e tyre, fëmijët dhe pasuria e tyre.

Ata thërrasin në atë që ka thirrur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: thërrasin në Teuhid, në ndjekjen e sheriatit të Tij, në madhërimin e urdhrave dhe ndalesave të Tij dhe në ecjen sipas metodologjisë së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

Librat e tyre janë të mbushur me këtë.

Librat e shejh Muhamed dhe pasuesve të tij janë të qarta për këtë; kush i lexon, e kupton këtë:

“Kitabut-Teuhid”, “Fet’hul-Mexhid”, “Keshfush-Shubuhat”, “Thelathetul-Usul”, “Tejsirul-Aziz el-Hamid”, nga nipi i tij Sulejman ibën AbdUllah, si dhe “Ed-Durer es-Senijje fi Fetaua Ehli Nexhd” – të gjitha janë të qarta në këtë çështje.

(Nurun ala Dërb, 3/148–149)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button