Një ngjarje reale mes shejh Rebi’ el-Med’hali dhe një personi që mendonte se “vehabitët” nuk e duan Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem?!”

Shënim: Termi “vehabitë” është një nofkë që e kanë përdorur kundërshtarët e kësaj thirrjeje për ta larguar njerëzit nga thirrja e shejh Muhamed ibën AbdulUehhabit, e cila thërret në Teuhid dhe paralajmëron nga bidatet dhe shirku te varret dhe të tjera.

Shejh Rabi’ el-Med’hali, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Ne, pasha Allahun, besojmë se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem është më i miri i krijesave.”

Njëherë, më pyeti një person, ndërsa ishte me mua në makinë gjatë rrugës, dhe më tha: ‘O shejh!’

I thashë: urdhëro.

Tha: ‘Çfarë mendon për salavatet mbi Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem?’ Dhe ai kishte kaluar tre vite duke parë metodologjinë e këtij universiteti (universitetit islamik) dhe e dinte se ajo është sipas  Kur’an-it dhe Sunetit, në metodologjinë e muslimanëve të parë të mirë, si dhe në dashurinë për të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem – një dashuri që nuk ka të ngjashme me të; madje një njeri i drejtë e sheh se pretendimet e tjera për dashuri janë të zbrazëta, ndërsa dashuria e vërtetë është te pasuesit e këtij menhexhi.   

Them (shejhu): u trondita nga pyetja e tij dhe gati sa nuk rashë në të fikët, dhe i thashë: ‘A nuk i frikësohesh Allahut?! A mendon për ne se ne e urrejmë të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem dhe e ndalojmë salavatin mbi të?! Çfarë është kjo, o vëlla?!’

‘Ti ke jetuar tre vite në këtë universitet dhe e ke njohur metodologjinë e tij dhe njerëzit e tij nga afër, dhe tani po bën një pyetje të tillë?! Sa keq!’

Pastaj i thashë: ‘A e njeh librin “Es-Sarimul-Meslul”?’

Tha: jo.

I thashë: është libri “Es-Sarimul-Meslul ala shatim err-Rresul salAllahu alejhi ue selem” i Ibën Tejmijes, që shpjegon të drejtat e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem dhe gjykimin e atij që e fyen atë, dhe se dënimi i tij është vrasja edhe nëse pendohet; pendimi i tij është mes tij dhe Allahut.

Ky është libri më i fortë që është shkruar në këtë temë.

Pastaj i thashë: ‘A e njeh librin “Xhela’ul-Ef’ham fi Salat ala hajr el-en’am salAllahu alejhi ue selem” të Ibën Kajjimit?’

Tha: jo.

I thashë: ky është një libër i cili nuk ka të ngjashëm në temën e tij për salavatet mbi të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem, dhe të tjerët si es-Sahaui kanë provuar të shkruajnë diçka të ngjashme por nuk ia kanë arritur.

Ne e adhurojmë Allahun sipas asaj që përmbajnë këto dy libra.

Ne, për Allahun, e duam të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem më shumë se ju. Dhe kjo është fushë prove: kush e merr fjalën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem? Kush e ndjek udhëzimin e tij? Kush e ndjek sunetin e tij? Kush e ndjek akiden e tij?

Pastaj i thashë: ‘Më thuaj sinqerisht, çfarë mendon për një njeri që erdhi në një vend ku adhuroheshin varret, pemët dhe gurët, ku nuk falej namazi, nuk jepej zekati, dhe kishte kaos dhe gjakderdhje mes njerëzve…’

Pastaj ky njeri erdhi dhe e nxori këtë shoqëri nga devijimi në të cilin ishte, dhe themeloi një shtet që gjykon me sheriatin e Allahut dhe me akide islame. A është ky ripërtritës apo shkatërrues?

Ai tha: ripërtritës.

I thashë: ky është Muhamed ibën AbdulUehhab, nga thirrja e të cilit ti fillove këtë pyetje.

Ai tha: Allahut i kërkoj falje, Allahut i kërkoj falje.

Pastaj filloi të shkruante emrat e librave që i përmenda.

Përfundimi është se thirrja është shtrembëruar qëllimisht dhe vazhdon të shtrembërohet, por ne themi: mes nesh dhe jush është Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, dhe ajo që kanë transmetuar muslimanët e parë të mirë në akide, ibadete dhe të tjera.

Kush mund të kundërshtojë këtë metodologji? Falënderimi i takon Allahut, Libri i Allahut është i qartë dhe dallon të vërtetën nga e kota, dhe metodologjia e selefëve e forcon këtë.”

Shejh Rebi’ el-Med’hali, Allahu e mëshiroftë!

(Ligjërata me titull: Vuxhubul-itiba’ uet’tah’dhir min Medhahiri eshShirk uel-ib’tide’a)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button