A lejohet klasifikimi i njerëzve?
Pyetja:
Në kohët e fundit kanë dalë disa që e ndalojnë klasifikimin e njerëzve në mënyrë absolute, me arsyetimin se të gjithë janë muslimanë. Cili është mendimi juaj për këtë dhe cili është kriteri në këtë çështje?
Përgjigjja:
Kjo nuk është në mënyrë absolute. Ai që kundërshton mund të jetë pabesimtar dhe jo musliman; mund të jetë i devijuar, i pabindur ose mëkatar.
Njerëzit ndryshojnë në veprat e tyre. Prej tyre ka: pabesimtar, munafik, të pabindur, të devijuar, mëkatar, si dhe besimtar të bindur e të qëndrueshëm.
Prandaj, patjetër duhet që njerëzit të vendosen në vendin që u takon: mëkatari nuk vendoset në pozitën e të bindurit, dhe i binduri nuk vendoset në pozitën e mëkatarit.
Allahu i Lartësuar thotë: أَمْ حَسِبَ الَّذِينَ اجْتَرَحُوا السَّيِّئَاتِ أَنْ نَجْعَلَهُمْ كَالَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ سَوَاءً مَحْيَاهُمْ وَمَمَاتُهُمْ سَاءَ مَا يَحْكُمُون
“A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata!” (Xhathije 21).
Dhe Allahu i Lartësuar thotë: أَفَنَجْعَلُ الْمُسْلِمِينَ كَالْمُجْرِمِينَ (٣٥) مَا لَكُمْ كَيْفَ تَحْكُمُونَ
“Vallë, a t’i trajtojmë ata që Na nënshtrohen njësoj me keqbërësit?! Çfarë keni ju (jobesimtarë)? Si po gjykoni kështu?!” (Kalem 35–36).
Gjithashtu thotë: أَمْ نَجْعَلُ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ كَالْمُفْسِدِينَ فِي الْأَرْضِ أَمْ نَجْعَلُ الْمُتَّقِينَ كَالْفُجَّار
“A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira si keqbërësit në tokë? A t’i trajtojmë njësoj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!” (Sad 28).
Allahu është Ai që ka bërë dallim mes këtyre dhe atyre, për shkak të veprave që ata bëjnë dhe bindjeve që ata kanë.
Siç ka ardhur në hadith se ky umet do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe; çdo grup ka metodologjinë dhe rrugën e vet, e cila dallon nga tjetra, përveç atyre që qëndrojnë të palëkundur në Kur’an-in, Sunetin dhe xhematin. Rruga e tyre është një dhe nuk ndryshon.
Ndërsa fjala se nuk duhet bërë dallim mes njerëzve dhe nuk duhet klasifikuar askush, kjo është fjalë e gabuar dhe devijim.
Allahu është Ai që ka bërë dallim mes tyre. Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë përmendur në Kur’an dhe Sunet: jobesimtarët, munafikët, besimtarët, mëkatarët dhe të pabindurit.
Pra, Allahu i ka klasifikuar njerëzit. Ai thotë: هُوَ الَّذِي خَلَقَكُمْ فَمِنْكُمْ كَافِرٌ وَمِنْكُمْ مُؤْمِنٌ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِير
“Është Ai që ju krijoi ju, e megjithatë, disa prej jush janë mohues e disa besimtarë. Allahu sheh mirë atë që veproni.” (Tegabun 2).
A mos vallë do ta kundërshtojmë atë që Allahu ka zbritur në Librin e Tij dhe të themi: “Nuk ka dallim mes atyre që i atribuohen Islamit”?!
Kjo është kundërshtim ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
Shejh Salih elFeuzan, Allahu e ruajttë!
(Muhadarat fil-Akideh ued-Da‘ueh, 3/283–284)
Përktheu: Besim Gjelaj