Fitorja vjen prej Allahut!

Pasi muslimanët e çliruan Shamin dhe fitoret e tyre u shtrinë në tokat e romakëve gjatë hilafetit të Muavijes radijAllahu anhu, romakët vendosën të pajtoheshin për pagesën e xhizjes. Mbreti i romakëve dërgoi një patrik prej patrikëve të tij (patriku ishte njeri i fesë dhe mbante një pozitë të lartë kishtare) te Muavije për t’u marrë vesh me të rreth shumës së xhizjes dhe se kush do ta paguante atë.

Patriku tha: Do të paguajmë nga dy dinarë për çdo banor të tokës së romakëve, të madh e të vogël, përveç dy personave: mbretit dhe djalit të tij, sepse nuk i ka hije mbretit dhe djalit të tij të paguajnë xhizje. Muavije radijAllahu anhu, i cili ndodhej në një kishë prej kishave të Damaskut, tha:

Edhe sikur të më derdhni dinarë xhizjeje derisa ta mbushni këtë kishë, ndërsa mbreti dhe djali i tij të mos e paguajnë atë, nuk do ta pranoja prej jush.

Romaku tha: Mos përdor dredhi me mua, sepse askush nuk bën dredhi pa pasur gënjeshtër në të.

Muavije iu përgjigj: Më duket se po bën shaka me mua!

Atëherë romaku tha: Ti më detyrove ta them këtë. Më ke luftuar në tokë dhe në det, në verë dhe në dimër. Pasha Allahun, o Muavije, ju nuk na mundni as me numër e as me pajisje lufte. Do të dëshiroja që Allahu të na mblidhte ne dhe ju në një fushë, pastaj të na linte përballë njëri-tjetrit dhe ta largonte fitoren si prej nesh ashtu edhe prej jush; atëherë do të shihje!”

Muavije tha: Ç’ka ky, Allahu e vraftë! Ai e di mirë se fitorja është vetëm nga Allahu!

Në këtë fjalë Muavije u mahnit nga ajo që tha patriku dhe pa se ai e kishte kuptuar sekretin e fitores së besimtarëve ndaj tyre; prandaj tha: “Ai e di mirë se fitorja është vetëm nga Allahu.

(Tarih’ Dimeshk 67/39)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.

Related Articles

Back to top button