Kur shtohet dija, dobësohet e kota!
Shejh Salih Alu Shejh, Allahu e ruajttë, thotë:
“Dija e dobishme është lavdëruar nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në hadithin e saktë:
“Shembulli i asaj me të cilën Allahu më ka dërguar prej dijes dhe udhëzimit është si shembulli i shiut të bollshëm që bie mbi tokë…”
Në këtë hadith, dija e dobishme është krahasuar me ujin. Edhe shpallja në Kur’an, në më shumë se një ajet, është krahasuar me ujin. Shpallja është dije, dhe dija është shpallje nga aspekti se ajo merret prej shpalljes.
Madhështia e dijes shihet duke parë madhështinë e pejgamberisë dhe madhështinë e shpalljes. Prandaj, shtimi i dijes është mbetje dhe vazhdim i dritave të shpalljes.
Prej dobive të historisë së Musait alejhi salatu ue selam me magjistarët është ajo që ka përmendur Shejhul-Islam Ibën Tejmije, kur ka thënë:
‘Magjia dhe magjistarët shtohen kur pakësohen dritat e dijes dhe të pejgamberisë, ndërsa dobësohen e zhduken kur shtohen dritat e dijes dhe të pejgamberisë.’
Dhe kjo është e vërtetë, e qartë nga historia e Musait:
فَأَلْقَى مُوسَى عَصَاهُ فَإِذَا هِيَ تَلْقَفُ مَا يَأْفِكُونَ
“Pastaj, Musai hodhi shkopin e tij, që i kapërdiu përnjëherësh sajimet e tyre të rreme!” (Shu‘ara 45).
Pra, çdo gjë që ata e trilluan, dija dhe Suneti e përpijnë të kotën dhe ia demaskojnë pavërtetësinë nga çdo anë.”
(Ligjerata me titullin: Himmetus-selef fi talebil-ilm)
Përktheu: Besim Gjelaj