Nuk ka bashkim në të kotën!
Pyetësi thotë:
Të bashkohemi duke qenë në gabim është më mirë sesa të përçahemi duke qenë në të vërtetën; jo çdo e vërtetë është e saktë dhe jo çdo e kotë është gabim?
Përgjigjja:
Kjo është fjalë poetike dhe imagjinare.
Çfarë dobie ka bashkimi duke qenë në gabim? Dhe çfarë dëmi ka ndarja, nëse disa janë në të vërtetën e disa janë në gabim?
Zoti ynë, i Plotfuqishëm, thotë: فَمَاذَا بَعْدَ الْحَقِّ إِلَّا الضَّلَال
“E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes?” (Jnus 32).
Dhe thotë: وَلَوْ شَاءَ رَبُّكَ لَجَعَلَ النَّاسَ أُمَّةً وَاحِدَةً وَلَا يَزَالُونَ مُخْتَلِفِينَ (١١٨) إِلَّا مَنْ رَحِمَ رَبُّك (١١٩)
“Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë, përveç atyre, që i ka mëshiruar Zoti yt.” (Hud 118–119).
Dhe hadithi i njohur – e ky, në realitet, sipas mendimit tim, është goditje shkatërruese për shpinën e grupeve islame që nuk kapen pas metodologjisë sunite selefije – është:
“Hebrenjtë u ndanë në shtatëdhjetë e një grupe; të krishterët u ndanë në shtatëdhjetë e dy grupe; ndërsa umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tri grupe, të gjitha janë në Zjarr përveç njërës.”
Thanë:
Cila është ajo, o i Dërguari i Allahut?
Ai tha:
Ajo është xhemati.
Në një transmetim tjetër tha:
“Ajo që i përmbahet asaj në të cilën jam unë dhe shokët e mi.”
Pra, kjo fjalë bie ndesh me Kur’an-in, bie ndesh me Sunetin dhe bie ndesh me logjikën.
Si mund të jetë bashkimi duke qenë në gabim më i mirë sesa ndarja duke qenë në të vërtetën?! Disa janë në të vërtetën dhe disa janë në gabim!
Së pari, kjo është diçka që Allahu e ka lejuar të ndodhë me caktimin e Tij.:
“Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme.” (Hud 118).
Së dyti, ky është lajmi i të Dërguarit të pagabueshëm salAllahu alejhi ue selem, se umeti do të ndahet më shumë sesa u ndanë hebrenjtë dhe të krishterët. Dhe vetëm një grup prej këtyre shtatëdhjetë e tri grupeve është në të vërtetën, ndërsa të tjerët janë në të kotën.
Prandaj, atij që e thotë këtë fjalë, duke qenë e qartë pavlefshmëria e saj, i thuhet: هَاتُوا بُرْهَانَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينَ
“Nëse është e vërtetë ajo që thoni, atëherë sillni provën tuaj!” (Bekare 111).
Dhe nuk ka nevojë të thuhet më shumë se kaq.
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë!
(Huda uen-Nur, Nr. 310)
Përktheu: Besim Gjelaj