Telashet nuk vijnë nga zbatimi i Sunetit!
Pyetja:
Zbatimi i Sunetit në këto ditë na shkakton siklet me njerëzit e thjeshtë, si dhe sjell përçarje në xhami. Si duhet të sillemi me njerëzit e thjeshtë në këtë çështje?
Përgjigja:
Unë them: fitnet (trazirat) që pretendohen nuk vijnë nga zbatimi i Sunetit nga ana e njerëzve të thjeshtë, por ato vijnë nga fakti që disa prej pasuesve të Sunetit hyjnë në diskutime me të tjerët, ndërkohë që nuk janë të përshtatshëm për këto diskutime,
As nga ana e dijes dhe as nga ana e mënyrës (sjelljes).
Sa i përket anës shkencore, kjo është e qartë, sepse shpesh njërit prej vëllezërve tanë i kundërshtohet duke i thënë p.sh.: “Pse e lëviz gishtin kështu?”
Ai përgjigjet: “Sepse kështu është Suneti.”
Mirë, atëherë si e mësove këtë?
“Kam dëgjuar një shejh të caktuar që e thotë!”
Kjo nuk është përgjigje. Përmendja e atij shejhu mund ta shtojë edhe më shumë mosmarrëveshjen, e kështu me radhë.
Prandaj them: shumica e atyre që hyjnë në diskutime me njerëzit e thjeshtë nuk janë as në karvan e as në ushtri siç thuhet në një shembull (dmth. s’kanë lidhje fare me këtë punë), as nga ana e dijes dhe as nga ana e metodës.
Nga ana e dijes: ai që kujdeset për Sunetin duhet të mësojë argumentin, në mënyrë që të ketë provë kundër atyre që e kundërshtojnë.
Së pari për t’i bindur ata.
Dhe së dyti nga mëshira për ta.
Pra, duhet të mësojë argumentin për atë Sunet që njerëzit e kundërshtojnë.
Tjetra: duhet të jetë i butë në paraqitjen e këtij argumenti para njerëzve, duke u bazuar në ajetin e njohur: ٱدۡعُ إِلَىٰ سَبِيلِ رَبِّكَ بِٱلۡحِكۡمَةِ وَٱلۡمَوۡعِظَةِ ٱلۡحَسَنَةِۖ
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur…” (Nahl 125)
Ajo që ndodh zakonisht është se disa njerëz entuziazmohen për davetin selefij në fillim të rrugës së tyre, por nuk u është dhënë urtësi.
E sheh se përplaset me njerëzit vazhdimisht, me ashpërsi dhe forcë.
Dhe kjo është ajo që unë them gjithmonë: energjia e njeriut është e kufizuar, siç ka treguar edhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në hadithin:
“Çdo vepër ka një vrull (entuziazëm) dhe çdo vrull ka një kohë; kush anon drejt sunetit tim, është i udhëzuar, e kush anon drejt bidati, ka humbur.”
Njeriu kur e shtrëngon dorën fort mund ta mbajë për disa orë derisa e kap gjumi, sepse është një gjendje e natyrshme.
Por nëse e shtrëngon kështu (jo natyrshëm), pas pesë minutave, pas dhjetë minutave, pastaj fillon të lirohet.
Ky është shembulli i entuziazmit të disa vëllezërve selefij: kur mësojnë davetin, përplasen me njerëzit me ashpërsi, por më pas u bie entuziazmi dhe tërhiqen prapa, dhe mezi arrijnë të ruajnë sunetet që kishin mësuar, nëse nuk i braktisin fare si pasojë e fitneve.
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë!
(Tesxhilat Muteferrika, Kaseta 79, 00:52:45 minuta)
Përktheu: Besim Gjelaj