Mashtrimi i shejtanit në madhërimin e të vdekurve
Ajeti i Allahut të Madhëruar: إِنَّ الَّذِينَ تَدْعُونَ مِنْ دُونِ اللَّهِ عِبَادٌ أَمْثَالُكُمْ فَادْعُوهُمْ فَلْيَسْتَجِيبُوا لَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِين
“Në të vërtetë, ata që iu luteni ju, në vend të Allahut, janë robër si ju. Thirrini ata dhe le t’ju përgjigjen, nëse thoni të vërtetën!” (A‘raf, 194)
Imam Sheukani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Ndërsa këta njerëz u drejtuan te një grup të vdekurish, të cilët nuk kanë mundësi as të këshillojnë veten e tyre e as të kthehen te familjet e tyre, por megjithatë i morën ata si adresë për nevojat e tyre.
Ata u përqendruan te varret e tyre, zotuan për ta, bënë kurbanë për ta dhe kërkuan ndihmë prej tyre kur ishin më se të nevojshëm.
Ndonjëherë u kërkojnë atyre gjëra që nuk mund t’i bëjë askush përveç Allahut të Plotfuqishë, duke i veçuar në lutje dhe duke i bërë objekt të kërkesës së tyre.
Ndonjëherë i thërrasin bashkë me Allahun e Plotfuqishëm, duke i përmendur emrat e tyre krahas emrit të Allahut, në mënyrë që fjalë të tilla i rrëqethin ata që e kuptojnë kuptimin e ‘La ilahe il-lAllah’ dhe ‘Kul huvAllahu Ehad’.
Shejtani i ka mashtruar dhe i ka çuar nga një gradë në tjetrën, nga një pozitë në një pozitë tjetër, derisa ata filluan të madhërojnë të vdekurit më shumë se Krijuesin e tyre, Atë që i krijoi, i furnizoi, i dha jetë dhe i mori jetën.
Ajo që ata nuk e konsiderojnë të rëndësishme kur bëhet fjalë për Allahun, e konsiderojnë shumë të madhe kur bëhet fjalë për të tjerët përveç Tij, ndërsa Allahu është më i Larti dhe i Vetmi i denjë për adhurim.
Kjo gjendje ka çuar deri aty sa disa prej tyre betohen rrëjshem në Allahun e Lartësuar, por nuk betohen rrejshëm në atë që e konsiderojnë të vdekur të shenjtë; dhe bëjnë mëkate në xhami, por nuk i bëjnë pranë varrit të atij që e nderojnë.
E keqja është rritur edhe më shumë dhe sprova është bërë më e madhe, atëherë kur shumë prej tyre ia atribuojnë të mirat dhe të këqijat atij të vdekuri.
Ai ka përfunduar nën tokë, larg nga sytë e njerëzve, i paaftë të sjellë dobi apo dëm për veten, duke pritur atë që presin edhe të tjerët prej të vdekurve. Nuk e di çfarë u ka ndodhur këtyre të marrëve, dhe nuk ndien asgjë nga ajo që ia kanë mveshur atij.
Nëse do ta dinte këtë gjendje, do të luftonte me shpatë kundër tyre dhe do t’i largonte sa të mundej.”
(Edebut-Taleb ue Muntehel-Edeb, f. 213)
Përktheu: Besim Gjelaj