Në Xhenet hyhet me mëshirën e Allahut!
Tregohet se një burrë, ndërsa ishte në det, iu thye anija dhe ai u hodh në një ishull në det për t’u shpëtuar mbytjes.
Allahu bëri që në këtë ishull t’i shpërthente një burim me ujë të ëmbël, dhe i bëri të mbinte një pemë që çdo mëngjes e çdo mbrëmje jepte fryte, prej të cilave ai hante dhe pastaj i përkushtohej adhurimit.
Ai adhuronte Allahun derisa e luti Allahun t’ia merrte shpirtin ndërsa ishte në sexhde. Allahu ia pranoi lutjen, dhe ai e kaloi gjithë jetën e tij në këtë ishull duke adhuruar. Dhe Allahu ia plotësoi kërkesën, ndaj ai vdiq ndërsa ishte në sexhde.
Kur u takua me Allahun, Allahu i tha: “Hyr në Xhenet me mëshirën Time.”
Ai tha: “O Zoti im, po veprat e mia?” Pra, njeriu kishte adhuruar Allahun gjithë jetën dhe megjithatë hynte në Xhenet vetëm me mëshirën e Allahut, jo me veprat e veta. Ai nuk kundërshtoi Allahun, por pyeti pse nuk futej në Xhenet sipas veprave të tij.
Atëherë Allahu u tha engjëjve: “Llogaritjani!”
Ata e llogaritën dhe gjetën se adhurimi i tij gjatë gjithë jetës nuk barazohej as me mirësinë e shikimit, as me mirësinë e syve të tij, e lëre më me të gjitha mirësitë e tjera që Allahu i kishte dhënë.
Atëherë Allahu tha: “Hidheni në zjarr!” Pra urdhëroi që ta fusin në zjarr.
Njeriu tha: “O Zoti im! Të lutem më fut në Xhenet me mëshirën Tënde!”
Allahu tha: “Hyr në Xhenet me mëshirën Time.”
Kështu u bë e qartë se veprat e njeriut, sado shumë qofshin, nuk barazohën dot as mirësinë më të vogël nga mirësitë e Allahut mbi të.
Për këtë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë në hadithin e saktë:
“Nuk do të hyjë askush prej jush në Xhenet me veprat e tij.”
Thanë: “As ti, o i Dërguari i Allahut?”
Ai tha: “As unë, vetëm nëse Allahu më mbulon me mëshirën dhe mirësinë e Tij.”
Shejh Salih elFeuzan, Allahu e ruajttë!
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.