Inteligjenca artificiale: mes mirësisë dhe fatkeqësisë

O robër të Allahut, prej mirësive të mëdha në ditët tona është edhe ajo që është shfaqur së fundmi tek ne, e që quhet inteligjencë artificiale.

Ajo po zhvillohet me një zhvillim të mahnitshëm dhe të shpejtë, dhe mbart shumë dobi për njerëzimin, nëse përdoret siç duhet. Në këtë vend, unë dua të paralajmëroj për tri çështje që lidhen me inteligjencën artificiale.

Së pari: Përdorimi i saj për të kërkuar fetva. Disa njerëz kanë filluar ta përdorin këtë inteligjencë artificiale për të njohur dispozitat e çështjeve të reja që u ndodhin atyre. Madje, kam lexuar për disa prej tyre se thonë: “Tashmë nuk kemi nevojë për dijetarë; mjafton vetëm një klikim dhe e dimë gjykimin për çështjen.”

Kjo, o robër të Allahut, nuk lejohet dhe është prej shkaqeve të devijimit!

Sepse inteligjenca artificiale është si mbledhësi i druve natën: i mbledh përgjigjet nga faqet e internetit, dhe mund të transmetojë nga ndonjë faqe jo e besueshme; mund t’i atribuojë dijetarit diçka që ai nuk e ka thënë.

Po ashtu, fetvaja, o robër të Allahut, lidhet me çështjet e reja që ndodhin; dhe këto çështje kanë rrethana që i shoqërojnë, të cilat mund të bëjnë që gjykimi për to të ndryshojë.

Prandaj, kini frikë Allahun, o robër të Allahut, dhe mos e përdorni këtë inteligjencë artificiale për të njohur gjykimet e çështjeve të reja që ju ndodhin.

Së dyti: E paralajmëroj nxënësin e dijes që të mos mbështetet plotësisht te inteligjenca artificiale për mbledhjen e materialit të dijes që ua paraqet njerëzve. Sepse inteligjenca artificiale është si mbledhësi i druve natën: mbledh të mirën dhe të keqen, gabimin dhe të saktën. Prandaj, nëse nxënësi i dijes e përdor atë, e ka për detyrë t’i verifikojë informacionet, t’i rishikojë, t’i kontrollojë me kujdes dhe t’i saktësojë.

Sa i përket çështjes së tretë, o robër të Allahut: E ai është përdorimi i kësaj inteligjence artificiale për t’i dëmtuar besimtarët dhe besimtaret duke gënjyer ndaj tyre dhe duke shpikur video apo materiale që u atribuohen atyre. Kjo çështje përmban disa krime:

Krimi i parë: Në të ka gënjeshtër që përhapet anembanë botës, dhe kjo është prej mëkateve të mëdha, si dhe prej shkaqeve të dënimit të varrit dhe dënimit të zjarrit. Allahu na ruajtë nga dënimi i Tij.

Krimi i dytë: Në këtë ka dëmtim ndaj besimtarëve dhe besimtareve. Ka dëmtim ndaj atij për të cilin është gënjyer, ka dëmtim ndaj familjes së tij, fqinjëve të tij dhe njerëzve që e duan atë.

Allahu i Lartësuar thotë: وَٱلَّذِينَ يُؤۡذُونَ ٱلۡمُؤۡمِنِينَ وَٱلۡمُؤۡمِنَٰتِ بِغَيۡرِ مَا ٱكۡتَسَبُواْ فَقَدِ ٱحۡتَمَلُواْ بُهۡتَٰنٗا وَإِثۡمٗا مُّبِينٗا

“Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (Ahzab 58).

Krimi i tretë, o robër të Allahut: Në këtë ka gënjeshtër ndaj besimtarit dhe atribuim të një gjëje atij që ai nuk e ka thënë apo nuk e ka bërë.

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“Kush thotë për një besimtar diçka që nuk është tek ai, Allahu do ta vendosë atë në Redgatul-Habel, derisa të dalë nga ajo që ka thënë.”

Dhe Redgatul-Habel, o robër të Allahut, është një vend i shëmtuar në Xhehenem, me shumë llumra e ndyrësira, ku mblidhet qelbi i banorëve të zjarrit, gjaku i tyre dhe djersa e tyre. Allahu na ruajt nga gjendja e keqe.

Krimi i katërt, o robër të Allahut: Në këtë ka gënjeshtër ndaj Allahut dhe gënjeshtër ndaj fesë së Allahut. Sepse ata ia atribuojnë një personi të njohur dhe të konsideruar fetarisht se ka thënë: “Feja e Allahut kërkon kështu e kështu”, ndërkohë që ai person nuk e ka thënë këtë.

Përkundrazi, ata po gënjejnë ndaj Allahut dhe po gënjejnë ndaj fesë së Allahut. Dhe kjo është prej gjërave më të shëmtuara që Allahu i Plotfuqishëm i ka ndaluar.

Krimi i pestë, o robër të Allahut: Në këtë veprim të ndyrë dhe në këtë vepër të shëmtuar ka mashtrim ndaj besimtarëve dhe besimtareve.

Ndoshta e dëgjon atë material dikush që i beson këtij dijetari ose këtij shejhu, dhe mendon se ai vërtet e ka thënë atë. Ai mund të mendojë se kjo është prej fesë së Allahut.

Dhe në këtë gjendet mashtrimi më i madh ndaj muslimanëve.

(Shkëputje nga hutbeja e shejh Sulejman Rruhejlit, Allahu e ruajttë)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button