Çfarë është karini? A e shoqëron të vdekurin edhe në varrin e tij?
Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Karini është një shejtan i caktuar mbi njeriun me dijen e Allahut të Plotfuqishëm. Ai e urdhëron njeriun për vepra të turpshme dhe e ndalon nga e mira, siç ka thënë Allahu i Plotfuqishëm: الشَّيْطَانُ يَعِدُكُمُ الْفَقْرَ وَيَأْمُرُكُم بِالْفَحْشَاءِ
“Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme.” (Bekare 268).
Mirëpo, nëse Allahu i dhuron robit një zemër të pastër (shëndoshë nga mëkatet), të sinqertë, të drejtuar kah Allahu i Lartësuar, që dëshiron botën tjetër dhe i jep përparësi asaj ndaj kësaj bote, atëherë Allahu e ndihmon atë kundër këtij karini, derisa ai të mos jetë në gjendje ta devijojë.
Prandaj, njeriu, sa herë që e ngacmon shejtani me ndonjë ngacmim, duhet të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar, ashtu siç e ka urdhëruar Allahu i Lartësuar.
Allahu i Lartësuar, thotë: وَإِمَّا يَنزَغَنَّكَ مِنَ الشَّيْطَانِ نَزْغٌ فَاسْتَعِذْ بِاللَّهِ ۖ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ
“E nëse të vjen ndonjë ngacmim prej djallit, kërko mbrojtje tek Allahu. Me të vërtetë, Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi.” (Fussilet 36).
Kuptimi i ngacmimit të shejtanit është: të urdhëron që ta lësh bindjen ndaj Allahut, ose të urdhëron që të bësh mëkat.
Pra, nëse ndien në veten tënde prirje për ta lënë bindjen ndaj Allahut, kjo është prej shejtanit. Ose, nëse ndien prirje për të bërë mëkat, edhe kjo është prej shejtanit. Prandaj nxito të kërkosh mbrojtje prej tij tek Allahu, dhe Allahu i Plotfuqishëm do të të mbrojë.
Sa i përket çështjes se a vazhdon ky karin të jetë me njeriun edhe në varr, ajo që duket, dhe Allahu e di më së miri, është se me vdekjen e njeriut ai ndahet prej tij, sepse detyra për të cilën ishte caktuar ka përfunduar.
Kjo sepse, kur njeriu vdes, i ndërpriten veprat, siç ka ardhur nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, përveç tri gjërave: sadakasë së rrjedhshme, dijes prej së cilës përfitohet, ose fëmijës së mirë që lutet për të.
(Fetawa Nurun ala Dërb, Nr. 315)
Përktheu: Besim Gjelaj