Shuarja e Islamit ndodh nga duart e katër llojeve të njerëzve

Ibnul-Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë se Muhamed ibën el-Fadl ka thënë:

Muhamed ibën el-Fadl ka thënë:

“Shuarja e Islamit ndodh nga duart e katër llojeve të njerëzve:

Një lloj që nuk punon me atë që di.

Një lloj që punon me atë që nuk di.

Një lloj që as nuk punon e as nuk di.

Një lloj që i pengon njerëzit nga mësimi.”

Pastaj Ibnul-Kajjimi shton dhe thotë:

Lloji i parë: Ai që ka dituri, por nuk punon me të. Ky është ndër më të dëmshmit për njerëzit e thjeshtë, sepse bëhet argument për ta në çdo mangësi dhe nënçmim.

Lloji i dytë: Adhuruesi i paditur. Njerëzit mendojnë mirë për të për shkak të adhurimit dhe devotshmërisë së tij, prandaj e pasojnë në paditurinë e tij.

Këto dy lloje janë ata për të cilët disa prej selefëve kanë thënë:

“Ruhuni nga sprova e dijetarit të prishur dhe adhuruesit të paditur, sepse sprova e tyre është sprovë për çdo të sprovuar.”

Sepse njerëzit pasojnë dijetarët dhe adhuruesit e tyre. Nëse dijetarët janë të prishur dhe adhuruesit janë të paditur, atëherë fatkeqësia përhapet përmes tyre dhe sprova bëhet e madhe, si për njerëzit e veçantë, ashtu edhe për masën në përgjithësi.

Lloji i tretë: Ata që nuk kanë as dituri dhe as vepra; ata janë vetëm si bagëtitë që kullosin.

Lloji i katërt: Zëvendësit e Iblisit në tokë. Ata janë ata që i dekurajojnë njerëzit nga kërkimi i diturisë dhe kuptimi i fesë. Këta janë më të dëmshëm për njerëzit sesa shejtanët prej xhinëve, sepse vendosin pengesë mes zemrave dhe udhëzimit të Allahut dhe rrugës së Tij.

(Miftah Darus-Se‘adeh, 1/490)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button