Si të sillemi me atë që është zemëruar

Ibnul-Xheuzi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Kur ta shohësh shokun tënd se është zemëruar dhe ka filluar të flasë gjëra që nuk janë të përshtatshme, nuk duhet t’i marrësh seriozisht fjalët e tij dhe as ta qortosh për to; sepse gjendja e tij është si gjendja e të dehurit, nuk e di çfarë po ndodh.

Përkundrazi, bëj durim derisa t’i kalojë shpërthimi i zemërimit dhe mos u mbështet në ato fjalë, sepse shejtani e ka mposhtur, natyra e tij është trazuar dhe mendja i është mbuluar.

Nëse ti fillon ta mbash në zemër atë që tha dhe i përgjigjesh sipas veprimit të tij, atëherë je si një i mençur që përballet me një të çmendur, ose si një i vetëdijshëm që qorton një të alivanosur; në këtë rast, faji bie mbi ty.

Përkundrazi, shikoje me syrin e mëshirës, vështro se si kaderi po vepron mbi të, dhe kupto se si natyra e tij është trazuar dhe po e shtyn të sillet ashtu. Dije se kur të kthjellohet, do të pendohet për atë që ndodhi dhe do ta kuptojë vlerën e durimit tënd.

Këtë gjendje duhet ta mësojë fëmija kur zemërohet prindi, dhe gruaja kur zemërohet burri: ta lërë derisa të shfryjë me ato që thotë dhe të mos i marrë ato fjalë për bazë, sepse ai do të kthehet i penduar dhe duke kërkuar falje.

Shumica e njerëzve nuk janë në këtë rrugë: kur shohin një të zemëruar, ia kthejnë me të njëjtat fjalë dhe veprime. Kjo nuk është sipas urtësisë. Përkundrazi, urtësia është ajo që përmenda:

‘Por askush nuk do t’i kuptojë përveç të diturve.’ (Ankebut 43)”

(Sajdul-Hatir, f. 468)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button