Këshilla e shejh Rebis për dijen, kritikën dhe largimin nga teprimi
Pyetësi thotë: Allahu ju ruajttë! Si mund ta adhurojmë Allahun e Plotfuqishëm përmes dijes së xher’hit dhe ta‘dilit, e cila është prej dijeve më të dalluara?
Përgjigjja:Kur të arrish në këtë shkallë të dijes, të devotshmërisë, të asketizmit dhe të sinqeritetit për hir të Allahut, atëherë do ta dish se si të afrohesh tek Allahu përmes kësaj dijeje dhe se, nëpërmjet saj, ti e mbron fenë. Dija e xher’hit dhe ta‘dilit është dije madhështore dhe vetëm pak njerëz merren me të. Madje, dijetarët nuk i kanë konsideruar si dijetarë të xher’hit dhe ta‘dilit as shumë prej hafizëve të mëdhenj të hadithit.
Unë ju them se nuk jam prej dijetarëve të xher’hit dhe ta‘dilit dhe i këshilloj vëllezërit që të heqin dorë nga teprimi (guluvi), Allahu ju begatoftë! Unë jam kritikues. Kritikues! Kam kritikuar disa persona të caktuar për gabimet e tyre, por njerëzit e kanë tepruar në këtë çështje, Allahu ju begatoftë! Unë distancohem para Allahut nga teprimi (guluvi). Mos thoni: Shejh Rebia është imam i xher’hit dhe ta‘dilit! Kurrsesi! Për Allahun, unë e urrej këtë shprehje. Lërini këto teprime, o vëllezër!
Pasha Allahun, që prej kohësh, nga vetë natyra ime, i urrej këto gjëra. Kur shoh se Ibën Huzejme konsiderohet imam prej imamëve, e ai vërtet është imam madhështor, por shprehjen ‘imami i imamëve’ e shoh si të rëndë, pasha Allahun!
Këta tituj kanë hyrë te muslimanët. Shikoni fjalët e sahabëve: ‘Ka thënë Umeri’, ‘ka thënë Uthmani’, ‘ka thënë Aliu’ e kështu me radhë. Ndërsa ne duam të ngrihemi në këto grada të larta, Allahu ju begatoftë! Lërini këto ekzagjerime!
Ai që ka dije dhe e njeh metodologjinë e selefëve, kritikon.
Dijetarët e xher’hit dhe ta‘dilit na i kanë sqaruar tashmë gjendjet e transmetuesve: gënjeshtarët, ata që janë braktisur si transmetues, ata që kanë memorie të dobët, transmetuesit e dobët e kështu me radhë, si dhe transmetuesit e besueshëm, të drejtë, hafizët e të tjerë. Ne jemi kritikues. Unë jam një kritikues i dobët, që kritikoj disa gabime për të cilat të tjerët kanë heshtur ose nuk i kanë vënë re. Lërini këto gjëra, Allahu ju begatoftë!
Pra, ai që ka dije, e njeh metodologjinë e selefëve dhe sheh para vetes bidate të qarta, le t’i sqarojë ato për hir të Allahut, si këshillë të sinqertë për hir të Allahut të Lartësuar dhe për ta mbrojtur këtë fe. Vjen një bidatçi, e shtrembëron fenë me bidatin e tij, flet për Allahun pa dije dhe e përhap devijimin e vet në emër të fesë. Qoftë ai gabim në akide, në adhurim, në metodologji (men’hexh), në politikë, në ekonomi apo në çfarëdo fushe tjetër. Tani, teprimi (guluvi) po përhapet në mesin e selefive, bashkë me ekzagjerimet dhe pretendimet e tepruara. Madje, disa kanë arritur deri në shkallën e Rrafidive, sufive dhe hululive. Ne distancohemi para Allahut nga ky teprim. Prandaj, ndiqeni metodologjinë e selefëve në mesatari dhe ekuilibër, duke i vendosur njerëzit në pozitat që u takojnë, pa asnjë lloj teprimi. Allahu ju begatoftë!
Ne sot, në këtë mjedis, jemi kërkues të dijes. Jemi kërkues të dijes që kemi kritikuar disa gabime dhe kemi njëfarë njohurie.
Ju këshilloj, o vëllezër, që të ecni në rrugën e selefëve të devotshëm në kërkimin e dijes, në moral dhe në thirrjen islame. Mos u bëni të ashpër, mos e teproni! Thirrja islame duhet të shoqërohet me butësi, mëshirë dhe moral të lartë. Pasha Allahun, kështu do të përhapet thirrja selefije.
Thirrja selefije tani po gërryhet nga brenda. Po e dëmtojnë njerëz që pretendojnë se i përkasin asaj – nuk po them selefijtë, por ata që padrejtësisht i atribuohen kësaj metodologjie. Ata po e gërryejnë atë para syve të njerëzve dhe e kanë shëmtuar thirrjen selefije me këtë mënyrë veprimi. Unë e këshilloj atë person që t’i frikësohet Allahut të Plotfuqishëm, të mësojë dijen e dobishme, të bëjë vepra të mira dhe t’i thërrasë njerëzit me dije dhe urtësi.
O vëllezër, faqet e internetit janë bërë të tmerrshme tani! Të gjithë tallen me ata që quhen selefij dhe tallen me ta me gëzim e duartrokitje, Allahu ju begatoftë!Ai që prej jush mëson dhe e kupton tefsirin, le t’u paraqesë njerëzve shkrime rreth tefsirit: ajete që kanë të bëjnë me dispozitat, ajete që kanë të bëjnë me moralin dhe ajete që kanë të bëjnë me akiden. Pastaj le t’i publikojë për njerëzit. Kjo është thirrje islame.
Ai që përvetëson dijen e hadithit, Allahu ju begatoftë, le të publikojë shkrime rreth kuptimeve të haditheve, dispozitave që përmbajnë, gjërave të lejuara dhe të ndaluara, moralit e të tjera. Mbusheni botën me dije! Njerëzit kanë nevojë për këtë dije.
Këto polemika e shëmtojnë metodologjinë selefije dhe i largojnë njerëzit prej saj. Lërini polemikat, qoftë në internet apo në çfarëdo fushe tjetër dhe në cilindo vend. Paraqituni njerëzve dijen e dobishme.
Mos hyni në debate me njerëzit dhe as mes vete. Ju keni lexuar në këtë libër se si selefët i shmangeshin polemikave.
Mos debatoni, përveçse kur është e domosdoshme. Dhe në debat të hyjë vetëm një dijetar që ka aftësinë t’i mposhtë pasuesit e bidateve me argumente. Mos u përfshini në konfliktet mes njëri-tjetrit. Nëse ndodh ndonjë gabim, drejtojeni atë te dijetarët. Mos u futni në labirinte dhe shpifje. Kjo e ka shkatërruar thirrjen selefije dhe i ka shkaktuar dëme jashtëzakonisht të mëdha, dëme të tilla që nuk kam parë të ngjashme me to në histori.
Këto mjete shkatërruese, interneti djallëzor, i kanë ndihmuar këto probleme. Kushdo që i kruhet koka, e hedh belanë e vet në internet! Lërini këto gjëra. Flisni me dije që ju nderon juve dhe thirrjen tuaj. Ai që nuk ka dije, të mos u shkruajë njerëzve, as në internet dhe as diku tjetër, Allahu ju begatoftë! Largohuni nga urrejtjet dhe mëritë, përndryshe, pasha Allahun, do ta vdisni këtë thirrje. Shpresoj që askush prej jush të mos ketë marrë pjesë në këtë fatkeqësi. E lus Allahun që të na bëjë të qëndrueshëm neve dhe juve në Sunet. Dëgjoni, o vëllezër! Ai që ka dije dhe e ka përvetësuar mirë atë, le të shkruajë në internet gjëra që u sjellin dobi njerëzve.
Ai që është i aftë në tefsir, le të shkruajë shpjegime të ajeteve – duke qenë i sigurt në dijen e tij – dhe le të përfshijë në to çështje të akides, moralit, dispozitave e të tjera, Allahu ju begatoftë! Edhe tefsiri është një det i pafund, një det! Pasha Allahun, mund të nxirrni prej tij dije pa fund. I keni të gjitha hadithet para jush. Shpjegojini ato! Ndihmohuni me komentimet e dijetarëve dhe shpjegojini në mënyrë të përpiktë, pastaj publikojini për njerëzit: hadithe që kanë të bëjnë me akiden, adhurimin dhe moralin, me një stil të urtë e të qetë, që u sjell dobi njerëzve. Pasha Allahun, do ta shihni se si do të zhvillohet kjo thirrje, si do të rritet dhe si do ta ndriçojë botën.
Ndërsa tani, me këto mënyra veprimi, po errësohet thirrja selefije, Allahu ju begatoftë! Ju këshilloj që t’i lini debatet dhe konfliktet në internet, por edhe në mjediset e tjera. Ju këshilloj të largoheni nga kjo, Allahu ju begatoftë! Ai që ka dije, le të flasë me dije, të shkruajë me dije dhe të thërrasë me dije, duke sjellë argumente dhe prova të qarta. Shmangeni mospajtimin dhe mos i nxitni shkaqet e përçarjes mes jush. Nëse dikush gabon, çojeni çështjen e tij te dijetarët, që ata ta ndalojnë dhe të përcaktojnë mënyrën se si duhet trajtuar gabimi i tij. Allahu ju begatoftë, ju dhëntë sukses në rrugën e drejtë dhe i bashkoftë zemrat tuaja!
Shejh Rebi’ elMed’halij, Allahu e mëshiroftë!
https://www.youtube.com/watch?v=lOooj3gBOVE
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in