Si arrihet mëshira e Allahut?
Hafidhi, Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Besimtari që kërkon shpëtimin nga Zjarri, hyrjen në Xhenet, afrimin tek Zoti i tij dhe shikimin tek Ai në vendbanimin e nderimit, duhet ta kërkojë këtë përmes shkaqeve që e çojnë drejt mëshirës, faljes, mëshirimit, kënaqësisë dhe dashurisë së Allahut. Përmes këtyre arrihet ajo që Allahu ka përgatitur prej nderimit.
Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar ka caktuar shkaqe për arritjen e kësaj, nëpërmjet veprave që Ai i ka bërë rrugë për tek ajo. Dhe këto nuk gjenden askund tjetër përveçse në ato që Allahu ua ka ligjësuar robërve të Tij përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij.
I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka treguar se këto vepra e afrojnë njeriun tek Allahu, bëhen shkak për kënaqësinë dhe faljen e Tij dhe se janë prej gjërave që Allahu i do, madje disa prej tyre janë ndër veprat më të dashura tek Allahu i Plotfuqishëm.
I Lartësuar thotë:
إِنَّ رَحْمَتَ اللَّهِ قَرِيبٌ مِنَ الْمُحْسِنِينَ
“Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.” (‘Araf, 56).
I Lartësuar thotë:
وَرَحْمَتِي وَسِعَتْ كُلَّ شَيْءٍ فَسَأَكْتُبُهَا لِلَّذِينَ يَتَّقُونَ
“Ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë. Atë do t’ua jap atyre që ruhen nga gjynahet.” (‘Araf, 156).
(Mexhmu‘u Resa’ilihi, 2/260)
Përktheu: Besim Gjelaj