Të vegjlit (el-esaagir)
Pyetje:
Në hadithin: “Nuk do të vijë Kiameti derisa dija të kërkohet tek të vegjlit (el-esaagir).” A është për qëllim ata që janë të vegjël në dije apo ata që janë të vegjël në moshë?
Përgjigjja:
Të dy kuptimet janë të mundshme.
Sepse ata që janë të vegjël në dije nuk kanë dije të plotë, ndërsa ata që janë të vegjël në moshë nuk kanë përvojë. Siç e dini, dija e largon paditurinë, ndërsa edukimi e largon mendjelehtësinë. Për këtë arsye thuhet: dijetarë të mirëfilltë, të cilët edhe edukojnë njerëzit. Jo çdo dijetar është edhe edukues.
Madje, disa dijetarë janë krejtësisht në të kundërten: gëzohen kur gjejnë ndonjë hile juridike dhe ua tregojnë njerëzve, që nëpërmjet saj të shmanget ndonjë obligim prej obligimeve të Allahut ose të cenohen ndalesat e Tij. Prandaj, jo çdo dijetar është i dobishëm për njerëzit.
Pra, me “el-esaagir” mund të nënkuptohen të dyja:
1-ata që janë të vegjël në dije, për shkak të paditurisë së tyre;
2-dhe ata që janë të vegjël në moshë, për shkak se nuk janë edukuar ende siç duhet dhe nuk kanë përvojë.
Për këtë arsye, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka paralajmëruar nga të rinjtë në moshë, sepse ata nuk kanë mjaftueshëm njohuri praktike dhe përvojë në çështje. Mund t’i shohësh të nxituar aty ku nuk duhet të nxitojnë, ose të ngurrojnë aty ku nuk duhet të ngurrojnë. Nuk kanë pjekurinë dhe gjykimin e duhur.
Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
(etTalik ala Sahihul-Buhari, Kaseta 6)
Përktheu: Besim Gjelaj