Shkaqet e dobësimit në fe dhe rruga e shpëtimit prej tyre

Pyetje:

Cila është këshilla juaj për atë që e sheh veten duke u dobësuar në fenë e tij – Allahu na ruajttë – pasi dikur ishte në rreshtin (safin) e parë në namaz, e lexonte shpesh Kur’an-in, bënte shumë vepra të mira, ndërsa tani mezi i kryen detyrimet (farzet)? Prej Allahut kërkojmë ndihmë.

Përgjigjja:

Dobësimi në fe ndodh, sipas asaj që më duket mua, e Allahu e di më së miri, për dy shkaqe kryesore:

Shkaku i parë: dobësimi i sinqeritetit dhe i ndjenjës së mbikëqyrjes së Allahut të Lartësuar dhe të Madhëruar.

Shkaku i dytë: padituria.

Prandaj, njeriu duhet vazhdimisht ta shqyrtojë veten sa i përket sinqeritetit ndaj Allahut të Lartësuar dhe të Madhëruar. Ai duhet të kujdeset që adhurimet dhe veprat e tij të jenë të sinqerta vetëm për Allahun.

A nuk e shihni se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka mësuar të bëjmë këtë lutje:

“O Ti që i rrotullon zemrat, forcoje zemrën time në fenë Tënde.” (Tirmidhiu 2140).

Muslimani duhet ta kontrollojë vazhdimisht sinqeritetin e tij.

Shkaku i dytë është padituria, e cila shfaqet në forma të ndryshme.

Prej shfaqjeve të saj janë:

-Largimi nga kërkimi i dijes.

-Shoqërimi me njerëz të këqij.

-Mosshfrytëzimi i kohës dhe shpërdorimi i jetës.

-Mosinteresimi për të mësuar hallallin dhe haramin, çfarë i lejohet të hajë e çfarë jo, si dhe çështje të tjera të ngjashme.

Nëse njeriu nuk e ka ndjenjën se Allahu i Lartësuar e mbikëqyrë dhe nuk largohet nga padituria në të gjitha format e saj, atëherë, me lejen e Allahut, ai mund të bjerë në këtë dobësim në fe.

Prandaj, këshilla ime për këtë vëlla është që ta shqyrtojë veten në lidhje me sinqeritetin ndaj Allahut të Lartësuar dhe ndjenjën e mbikëqyrjes së Tij, si dhe të përpiqet ta largojë paditurinë.

Padituria nuk do të thotë vetëm të mos mësosh apo të mos studiosh. Jo.

Madje, prej paditurisë është edhe të mësosh e të studiosh, por të mos veprosh sipas asaj që ke mësuar, në mënyrë që dija të mos ndikojë në përmirësimin dhe edukimin e vetes. Kur njeriu vepron sipas dijes dhe edukohet me të, atëherë largohen prej tij shfaqjet e paditurisë.

Disa vëllezër mund të kenë njohuri, të lexojnë dhe të mësojnë shumë, por nuk veprojnë sipas asaj që dinë.

Lënia e veprimit sipas dijes bën që shfaqjet e paditurisë të mbeten në personalitetin e kërkuesit të dijes dhe, nëse Allahu nuk e ruan, kjo mund ta çojë në dobësim të fesë së tij.

Prandaj, kërkuesi i dijes duhet ta detyrojë veten që ta ketë parasysh mbikëqyrjen e Allahut të Plotëfuqishëm dhe të jetë i vetëdijshëm për mbikëqyrjen e Allahut të Plotëfuqishëm në përpjekjen për ta larguar paditurinë.

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Dija nuk është thjesht të kesh shumë transmetime, por dija është një dritë që Allahu e hedh në zemër.” (Hiljetul-‘Eulija 6/319).

Kjo do të thotë se ndikimi i saj shfaqet në gjymtyrë dhe në vepra. Kjo është dija e vërtetë.

Prandaj ka dijetarë që janë mëkatarë dhe adhurues që janë të devijuar.

Është transmetuar nga Sufjan ibën Ujejneh se ka thënë:

“Ai që prishet prej dijetarëve tanë, ka ngjashmëri me hebrenjtë, ndërsa ai që prishet prej adhuruesve tanë, ka ngjashmëri me të krishterët.” (Bidaje ue Nihaje 11/133).

Allahu i Plotfuqishëm na ka paralajmëruar nga këto dy rrugë: rruga e atyre që kanë merituar zemërimin e Tij dhe rruga e të humburve. Të dyja këto rrugë bashkojnë mungesën e sinqeritetit dhe paditurinë, me të gjitha shfaqjet e saj që i potencuam.

Neglizhimi i këtyre dy çështjeve e çon zemrën në dobësim të fesë, ndërsa kujdesi për t’i realizuar ato është, me lejen e Allahut, rruga drejt qëndrueshmërisë dhe shpëtimit prej këtij dobësimi.

Prej Allahut kërkojmë ndihmë.

Shejh Muhamed Bazmul, Allahu e ruajttë!

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button