Lutju Allahut drejtpërdrejt, pa ndërmjetës
Këtu kushtoji vëmendje një hollësie të mahnitshme në këtë ajet të sures el-Bekare dhe në sure të tjera. Allahu i Lartësuar thotë: يَسْأَلُونَكَ “Të pyesin ty”, dhe pas kësaj vijon me fjalën:قُلْ “Thuaju”, sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ishte ndërmjetës në përcjelljen e fesë.
يَسْأَلُونَكَ عَنِ الْأَهِلَّةِ قُلْ هِيَ مَوَاقِيتُ لِلنَّاسِ
“Të pyesin ty (o Muhamed) për hënat e reja; thuaju: “Ato janë për njerëzit shenja përcaktuese të kohës.” (Bekare, 189).
وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الْمَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى
“Të pyesin ty (Muhamed) për të përmuajshmet e femrave. Thuaju: “Ajo është gjendje e dëmshme.” (Bekare, 222).
وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الْيَتَامَىٰ قُلْ إِصْلَاحٌ لَهُمْ خَيْرٌ
“Të pyesin ty për jetimët, thuaju: “T’u bëni mirë atyre është vepër e bukur.” (Bekare, 220).
Dhe ajete të tjera të ngjashme me këto. Por në këtë ajet Allahu thotë:
وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ
“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër” (Bekare, 186).
Nuk tha: “Thuaju”. Këtu nuk gjendet fjala “Thuaj”. Përkundrazi, tha: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër.” Kjo, sepse drejtimi tek Allahu bëhet drejtpërdrejt, pa ndërmjetës.
Kudo që të jesh në këtë botë dhe të kesh nevojë për diçka, lute Allahun pa ndërmjetës. Mos kërko ndërmjetës; drejtoju Allahut drejtpërdrejt dhe kërkoji Atij drejtpërdrejt. Ngriji duart kudo që të jesh në këtë botë. Edhe sikur të ishe në një shpellë të errët dhe i mbuluar nga një shkëmb në një vend të errët, drejtoju Atij. Zoti i botëve të sheh, është i Gjithëdijshëm për gjendjen tënde, ta largon vështirësinë, ta heq brengën dhe të furnizon prej nga nuk e pret.
Çështjet janë në Dorën e Tij, sundimi i përket Atij dhe krijimi është krijimi i Tij. I Madhëruar dhe i Lartësuar është Ai.
Shejh AbduRrezzak el-Bedër, Allahu e ruajttë,
(Shiriti i dytë i shpjegimit të El-Kava‘id el-Erbe‘a).
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.