Mos e konsidero veten më të mirë se vëllezërit e tu
Pyetja:
Allahu ju shpërbleftë me të mira. Cila është këshilla për disa vëllezër të cilët, gjatë grindjeve, u thonë vëllezërve të tyre: Unë jam udhëzuar para jush; kur unë falesha dhe agjëroja, ju studionit në vende ku kishte përzierje mes burrave dhe grave dhe rruanit mjekrat?
Përgjigjja:
Kjo është vetëpëlqim dhe mashtrim me veten – Allahu na ruajttë! Besimtari vepron dhe ka frikë. Besimtari agjëron dhe ka frikë se mos agjërimi i tij nuk pranohet. Falet dhe ka frikë se mos namazi i tij nuk pranohet. Prandaj, ai vazhdon të veprojë, përpiqet përsëri dhe tregohet modest ndaj robërve të Allahut.
Ndërsa ky person që u thotë vëllezërve të tij: ‘Duhet të më vini mua përpara dhe duhet të më ngrini në pozitë. Unë jam falur para jush dhe kam agjëruar para jush’ – çfarë të bën ty të dish se namazi yt është pranuar dhe se agjërimi yt është pranuar?
Dhe çfarë të bën ty të dish se një namaz i vetëm i ndonjërit prej këtyre vëllezërve nuk është më i madh në shpërblim sesa namazet e tua të mëparshme?
Ne nuk marrim përsipër të gjykojmë në emër të Allahut, nuk tregohemi arrogantë ndaj robërve të Allahut dhe nuk mashtrohemi nga adhurimet tona.
Ne veprojmë, kemi frikë, shpresojmë dhe tregohemi modestë ndaj robërve të Allahut të Madhëruar. Merremi me veten tonë dhe me përmirësimin e saj, shpresojmë të mirën për veten dhe për vëllezërit tanë dhe largohemi nga kjo pozitë, sepse nuk i lejohet myslimanit të jetë në një pozitë të tillë.
Shejh Sulejman Rruhejli, Allahu e ruajttë!
(Sher’h Kitabit-Teuhid, kaseta nr. 06)
Përktheu: Besim Gjelaj