A dëshiron që Allahu të ta begatojë kohën?

Kur Allahu ia mundëson njeriut që të bëjë shumë dhikër, Allahu ia begaton kohën dhe ia begaton veprën e tij. Kjo është diçka që kemi dëgjuar për të. Dijetarët e hershëm, për shembull, gjen se njëri prej tyre shkruante shumë faqe brenda një kohe të shkurtër, krahas angazhimeve dhe gjendjeve të tij, me vështirësitë e jetesës dhe mungesën e ndriçimit gjatë natës.

Madje, disa prej tyre u verbuan për shkak të mungesës së dritës. Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka përmendur se Shejhul-Islami e shkroi librin El-Hameuijje ndërmjet namazit të drekës dhe ikindisë. Po kështu edhe El-Uasitijje, megjithëse më vonë El-Hameuijjes i shtoi edhe disa transmetime të cilat i ka përcjellë, Allahu e mëshiroftë.

Kush mund ta bëjë një gjë të tillë?! Nëse një njeri do të përpiqej ta kopjonte El-Uasitijjen pas namazit të drekës, kjo do të ishte e vështirë për të. Atëherë, si mund ta ketë hartuar dhe shkruar vetë?!

Përfundimi është: kur robi e kupton se Allahu ia begaton kohën për shkak të dhikrit të tij ndaj Zotit, atëherë le të jetë i vazhdueshëm në të. Dhe dhikri nuk është vetëm dhikri i gjuhës, por edhe dhikri i zemrës. Allahu i Lartësuar thotë:

وَلَا تُطِعْ مَنْ أَغْفَلْنَا قَلْبَهُ عَنْ ذِكْرِنَا
“Dhe mos iu bind atij, zemrën e të cilit e kemi lënë të pakujdesshme ndaj përmendjes Sonë.”
(Kehf: 28).

E lusim Allahun që, me mirësinë dhe bujarinë e Tij, të na ndihmojë në këtë.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë,
(Sher’h Sahih Muslim, 2/291)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.

Related Articles

Back to top button