Begatia e Ahiretit varet nga njohja e vlerës së orëve të kësaj bote
Hafidh Ibnul-Xheuzi, Allahu e mëshiroftë, në këshillën që i drejtoi djalit të tij, duke folur për shpejtësinë me të cilën kalon kjo botë dhe se jeta në të vërtetë përbëhet nga këto orë, ka thënë:
“Kush mendon për këtë botë para se të vijë në të, e sheh si një periudhë shumë të gjatë. Por, pasi të dalë prej saj dhe të mendojë përsëri për të, e sheh si një kohë shumë të shkurtër. Atëherë e kupton se qëndrimi në varr është i gjatë. Kur mendon për Ditën e Kiametit, e kupton se ajo zgjat pesëdhjetë mijë vjet. E kur mendon për qëndrimin në Xhenet ose në Zjarr, e kupton se ai nuk ka fund.
Pastaj, kur kthehet të mendojë për kohën që do të kalojë në këtë botë – ta zëmë se janë gjashtëdhjetë vjet – sheh se tridhjetë prej tyre kanë kaluar në gjumë, rreth pesëmbëdhjetë në fëmijëri, e nga ajo që mbetet, pjesa më e madhe është shpenzuar në ndjekjen e dëshirave, në ngrënie e pije dhe në sigurimin e rizkut. Kur llogarit atë që i ka mbetur për Ahiretin, gjen se edhe aty ka shumë syefaqësi dhe shkujdesje.
Atëherë, me çfarë do ta blesh jetën e përjetshme, kur çmimi i saj janë pikërisht këto orë?”
(Leftetul-Kebidi ila Nasihatil-Ueled, f. 45–46)
Përktheu: Besim Gjelaj