A sëmuret besimtari psiqikisht dhe cili është shërimi i tij?
Pyetësi thotë:
Ai thotë: A sëmuret besimtari psiqikisht? Si shpjegohet sëmundja psiqike në Sheriat dhe si trajtohet ajo, si për shembull dëshpërimi i thellë? A është nefsi qortuese shkak i dëshpërimit?
Kurse, mjekët këtu i trajtojnë sëmundjet me ilaçe bashkëkohore, sipas metodave të Amerikës dhe Evropës, dhe nuk përdorin trajtimin shpirtëror. Na jepni një sqarim, o shejh. Allahu ju shpërbleftë me të mira?
Përgjigjia:
Pa dyshim se njeriu mund të preket nga sëmundjet psiqike, si pasojë e brengosjes për të ardhmen dhe pikëllimit për të kaluarën. Sëmundjet psiqike ndikojnë në trup më shumë sesa ndikojnë sëmundjet fizike trupore.
Shërimi i këtyre sëmundjeve me çështje sheriatike, pra me rukje legjitime (sipas Kuranit dhe Sunetit), është më i suksesshëm sesa trajtimi i tyre me ilaçe fizike, siç është e njohur.
Ndër shkaqet e shërimit të tyre është edhe hadithi i saktë nga Ibën Mes’udi, radijAllahu anhu, transmetohet se ai ka thënë:
“Nuk ka asnjë besimtar të cilin e godet ndonjë brengë, pikëllim ose trishtim dhe pastaj thotë: O Allah! Unë jam robi Yt, i biri i robit Tënd dhe i robëreshës Tënde. Udhëzimi im është në dorën Tënde, mbi mua zbatohet vendimi Yt dhe Ti je i drejtë në gjykimin Tënd.
O Allah, të lutem me çdo emër Tëndin, që e ke quajtur Veten, që ia ke mësuar ndokujt prej krijesave të Tua, që e ke zbritur në librin Tënd apo që e ke mbajtur të fshehur në diturinë Tënde, bëje Kuranin pranverë të zemrës sime dhe dritë të shpirtit tim! Bëje atë largues të dëshpërimit dhe të stresit tim!”
Ky është prej shërimeve sheriatike. Po ashtu, prej shërimeve sheriatike është që njeriu të thotë:
“Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje. I Lartësuar dhe i Patëmeta je Ti! Me të vërtetë, unë kam qenë prej zullumqarëve.”
Dhe kush dëshiron më shumë rreth kësaj çështjeje, le t’u kthehet asaj që kanë shkruar dijetarët në këtë fushë, në kapitullin e dhikreve (përmendjeve të Allahut), si: “El-Vabilus-Sajjib” i Ibën Kajjimit, “El-Kelimut-Tajjib” i Shejhul-Islam Ibën Tejmijes, “El-Edhker” i Neveviut, si dhe “Zadul-Me’ad” i Ibën Kajjimit.
Por, kur u dobësua imani, u dobësua edhe pranueshmëria e shpirtit ndaj shërimeve sheriatike. Për këtë arsye, njerëzit sot mbështeten më shumë te ilaçet fizike sesa te shërimet sheriatike.
Kur imani ishte i fortë, shërimet sheriatike kishin ndikim të plotë. Madje, ndikimi i tyre ishte më i shpejtë sesa ndikimi i ilaçeve fizike.
Nuk është e panjohur për të gjithë ne historia e atij njeriu që Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e dërgoi në një ekspeditë. Ata zbritën te një fis prej arabëve, por këta njerëz nuk pranuan t’u jepnin mikpritje dhe nuk i gostitën.
Pastaj Allahu i Madhërishëm deshi që udhëheqësin e atij fisi ta kafshonte një gjarpër. Atëherë disa prej tyre i thanë njëri-tjetrit:
“Shkoni te këta njerëz që kanë zbritur këtu, ndoshta gjeni dikë prej tyre që di të bëjë rukje për këtë të sëmurë, të cilin e ka kafshuar gjarpri.”
Sahabët u thanë atyre:
“Ne nuk do t’i bëjmë rukje udhëheqësit tuaj, përveç nëse na jepni kaq dhe kaq dele.”
Ata thanë: “Nuk ka problem.”
Atëherë njëri prej sahabëve të ekspeditës shkoi dhe i lexoi të kafshuarit nga gjarpri vetëm Suren El-Fatiha. Ai lexoi El-Fatihanë dhe i sëmuri u ngrit sikur të ishte liruar nga prangat.
Allahu Ekber! Çfarë do të thotë kjo?
‘Sikur të ishte liruar nga prangat’, domethënë: sikur të ishte një deve të cilës ia kishin zgjidhur lidhësen (litarin) nga këmba, dhe ajo ngrihet menjëherë me shpejtësi.
Kështu ndikoi leximi i Sures El-Fatiha te ky i kafshuar, sepse ajo doli nga një zemër e mbushur me iman.
Kur u kthyen te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, ai u tha atyre:
“Si e dite se ajo (El-Fatiha) është rukje?”
Por, në kohën tonë është dobësuar feja dhe imani, dhe njerëzit kanë filluar të mbështeten te çështjet e dukshme materiale. Në realitet, ata janë sprovuar me to.
Por, përballë këtyre, janë shfaqur disa njerëz të mashtrimit, që luajnë me mendjet, aftësitë dhe pasuritë e njerëzve. Ata pretendojnë se janë lexues të devotshëm (që bëjnë rukje), por në të vërtetë janë njerëz që hanë pasurinë e të tjerëve në mënyrë të padrejtë.
Ata nuk janë lexues të devotshëm, por janë njerëz që ua marrin pasurinë njerëzve pa të drejtë dhe luajnë me mendjet e tyre.
Kështu, njerëzit janë ndarë mes dy skajeve të kundërta: Disa kanë kaluar në ekstrem dhe nuk e shohin fare ndikimin e leximit (rukjes). Disa të tjerë kanë kaluar në ekstrem tjetër dhe luajnë me mendjet e njerëzve përmes leximeve të rreme dhe mashtruese. Ndërsa disa janë në mes (në rrugën e drejtë).
Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!
https://www.youtube.com/watch?v=KUnrUVZcRn0&t=32s
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.