Hadithi: “Kjo është shenjë e qartë e imanit”

Pyetja:

Cila është shkalla e vërtetësisë së këtij hadithi?

Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem iu drejtua një pyetje nga një delegacion i Jemenit. Ata i thanë: ‘Në veten tonë gjejmë disa mendime që i konsiderojmë tepër të rënda për t’i shprehur me gojë.’

Ai u tha: “Kjo është shenjë e qartë e imanit.”

Pra, nëse të vjen në mendje një mendim që të shqetëson dhe për të cilin nuk dëshiron të mendosh, ndaj përpiqesh ta largosh nga mendja, kjo është iman. Duhet të vazhdosh t’i kërkosh mbrojtje Allahut nga shejtani i mallkuar.

O shejh i nderuar, a është i saktë ky hadith dhe cili është kuptimi i tij?

Përgjigjja:

Këtë hadith me këtë formulim nuk e njoh, por kuptimi i tij është transmetuar në më shumë se një hadith nga i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem.

Këto hadithe flasin për mendimet që shejtani i hedh në zemrat e bijve të Ademit dhe për faktin se njeriu mund të ndiejë në veten e tij diçka që do ta bënte të preferonte të binte nga qielli apo të bëhej hi, por që nuk guxon ta shprehë me gojë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i pyeti:

“A e ndieni ju këtë?”

Ata thanë: ‘Po.’

Ai u tha:

“Kjo është shenjë e qartë e imanit.”

Domethënë, ky është imani i pastër. Kjo tregon se këto vesvese nuk ndikojnë në iman, nuk e cenojnë atë dhe nuk e pakësojnë.

Kjo ndodh sepse ato janë vesvese që shejtani ia hedh në zemër njeriut kur e kupton se ai është vërtet besimtar, me qëllim që t’ia prishë imanin dhe ta zhysë në dyshime e paqartësi.

Ndërsa, kur zemra është e sëmurë, shejtani nuk e sulmon njeriun në këtë mënyrë, por e sulmon nga anë të tjera, si përmes sjelljeve të këqija, marrëdhënieve të pahijshme dhe gjërave të ngjashme.

E rëndësishmja është se, kur sahabët iu ankuan Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem për këto vesvese që i ndienin në veten e tyre, ai i udhëzoi drejt dy gjërave.

E para: Ai tha: ‘Le të kërkojë mbrojtje tek Allahu dhe le të ndalet.’

Domethënë, le t’i kërkojë mbrojtje Allahut nga shejtani i mallkuar, sepse streha e njeriut është Zoti i tij, në Dorën e të Cilit është sundimi i qiejve dhe i Tokës.

Prandaj, kur të ndiesh vesvese të tilla, thuaj: ‘Eudhu bil-Lahi minesh-shejtanirr-rraxhim.’

Kjo do të thotë: Kërkoj strehim dhe mbrojtje tek Allahu i Lartësuar nga shejtani i mallkuar.

E dyta: Udhëzimi tjetër që dha Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në këtë rast ishte që njeriu të ndalej së menduari për këto vesvese që i kishin ardhur në zemër dhe të mos anonte drejt pranimit të tyre.

Pra, t’i lërë ato dhe të merret me çështjet e tij të zakonshme: me adhurimin, me marrëdhëniet me familjen, me marrëdhëniet me njerëzit me të cilët bashkëpunon dhe të mos u kushtojë më vëmendje këtyre mendimeve.

Në këtë mënyrë, këto vesvese dhe dyshime largohen, ndërsa zemra mbetet e pastër dhe e paprekur nga ngacmimet që vijnë prej armikut të saj, shejtanit.

Allahu i Lartësuar thotë:

وَإِمَّا يَنْزَغَنَّكَ مِنَ الشَّيْطَانِ نَزْغٌ فَاسْتَعِذْ بِاللَّهِ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ

“Dhe në qoftë se ndonjë pëshpëritje e ligë nga shejtani mundohet të të largojë ty (O Muhamed nga të bërit mirë), atëherë kërko mbrojtje tek Allahu. Vërtetë se Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri”  (Fussilet, 36).

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!

(Fetaua Nurun ala Dërb, 6/2)

Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in

Related Articles

Back to top button