Shuarja e zemërimit

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Dije se zemërimi është një flakë që shejtani e hedh në zemrën e birit të Ademit, kur atij i ndodh diçka që e trondit dhe e zemëron. Mirëpo, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka treguar se me çfarë shuhet kjo flakë. Prej tyre është që njeriu të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar. Kur ta ndiejë se po zemërohet dhe se zemërimi po e mposht, të thotë: “Eudhu bil-Lahi minesh-shejtanirr-rraxhim.”

Prej tyre është gjithashtu që të ulet nëse është në këmbë dhe të shtrihet nëse është ulur. Domethënë, ta ndryshojë gjendjen e tij dhe të zbresë nga një pozicion më i lartë në një më të ulët: nëse është në këmbë, të ulet, e nëse është ulur, të shtrihet. Prej tyre është edhe që të marrë abdes, duke i pastruar katër gjymtyrët e tij: fytyrën (gojën dhe hundën), duart, kokën dhe këmbët. Kjo e shuan zemërimin.

Prandaj, kur ta ndiesh veten të zemëruar, përdori këto udhëzime që të ka mësuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, derisa zemërimi të largohet prej teje. Përndryshe, sa e sa njerëz i ka çuar zemërimi deri në ndarjen nga familja e tyre! Sa shumë prej tyre thonë: “U zemërova me gruan time dhe e shkurorëzova tri herë.” Ndonjëherë njeriu zemërohet dhe i rreh fëmijët e tij në mënyrë të rëndë; ndonjëherë zemërohet dhe i thyen enët e tij, i shqyen rrobat ose bën gjëra të ngjashme, të gjitha si pasojë e zemërimit.”

(Sher’h Rijadus-Salihinë, 2,10)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi IslamYouTube-inTelegramin dhe Facebook-in.

Related Articles

Back to top button