Të ruhemi nga idetë e havarixhëve
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Kur studiojmë realitetin e grupeve islame që kanë ekzistuar për afërsisht një shekull, si dhe idetë dhe praktikat e tyre, do të vërejmë se shumë prej tyre nuk kanë përfituar, e as nuk kanë sjellë ndonjë përfitim të rëndësishëm, pavarësisht britmave dhe zhurmës së tyre se duan të vendosin një qeverisje islame. Për shkak të këtij pretendimi të pabazë, është derdhur gjaku i shumë të pafajshmëve, pa arritur ata të realizojnë asgjë nga ajo që pretendonin.
Ende vazhdojmë të dëgjojmë prej tyre besime që bien ndesh me Kur’an-in dhe Sunetin, si dhe vepra që janë në kundërshtim me Kur’an-in dhe Sunetin, përveçse vazhdojnë t’i përsërisin ato përpjekje të dështuara që bien ndesh me Sheriatin.
Në përfundim, them: Ekziston një fjalë e njërit prej thirrësve, të cilën do të doja që pasuesit e tij t’i përmbaheshin dhe ta zbatonin. Ai ka thënë:
“Vendoseni shtetin islam në zemrat tuaja, e ai do të ngrihet për ju edhe në tokën tuaj.”
Sepse, nëse muslimani e korrigjon akiden e tij, duke u bazuar në Kur’an-in dhe Sunetin, nuk ka dyshim se me këtë do të përmirësohet adhurimi i tij, do të përmirësohet morali i tij dhe do të përmirësohet sjellja e tij, e kështu me radhë.
Mirëpo, për fat të keq, këta njerëz nuk e zbatuan këtë fjalë të mirë. Ata vazhduan të bërtisnin dhe të kërkonin ngritjen e një shteti musliman, por pa ndonjë rezultat. Vërtet, për ta është me vend fjala e poetit:
“Shpreson shpëtimin, por nuk ndjek rrugët që të çojnë tek ai.
Vërtet, anija nuk lundron mbi tokë të thatë.”
Ndoshta ajo që përmenda është bindëse për çdo njeri të paanshëm dhe mjafton për t’i dhënë fund këmbënguljes së çdo kundërshtari. Prej Allahut kërkojmë ndihmë.
(Fitnetu et-Tekfir, f.13)
Përktheu: Besim Gjelaj