Gjendja e thirrjes selefije

Cili është mendimi juaj, shejh i nderuar, për gjendjen e thirrjes selefije në përgjithësi, e në veçanti në Kuvajt, Egjipt dhe Arabinë Saudite?


Pyetësi: Me emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.
Cili është mendimi i nderuarit tuaj për gjendjen e thirrjes selefije në përgjithësi, dhe veçanërisht në Kuvajt, Egjipt dhe Arabinë Saudite?

Shejhu: Unë them: Thirrja selefije tani – me keqardhje – është në një gjendje çrregullimi. Shkakun e kësaj ia atribuoj nxitimit të shumë të rinjve muslimanë që pretendojnë dije.

I tilli merr guximin që të japë fetva, të shpallë diçka haram apo hallall, para se disa prej tyre – siç kemi dëgjuar shpesh – të dinë mirë të lexojnë një ajet nga Kur’an-i, edhe nëse ai ajet është para tij në Mus’hafin Fisnik. E lëre më pastaj që shpesh gabon edhe në leximin e hadithit të të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem.


Për të vlen fjala e urtë e njohur në disa vende: “U bë rrush i thatë para se të bëhej rrush i papjekur.” Domethënë: “el-hisrim” – nuk e di a përdoret kjo fjalë te ju – është rrushi kur fillon të bëhet kokërr e gjelbër; ky quhet hisrim, dhe hisrimi është shumë i thartë.
Pra, para se të bëhej hisrim, ai e bëri veten sikur të ishte rrush i thatë; domethënë: sikur rrushi që është pjekur dhe pastaj është bërë rrush i thatë.


Prandaj, kryeneçësia e shumë prej këtyre njerëzve dhe nxitimi i tyre në pretendimin e dijes dhe në shkrime, ndërkohë që ende nuk kanë arritur as në gjysmën e rrugës së dijes, është ajo që ka bërë që ata të cilët i atribuohen thirrjes selefije sot, me keqardhje, të bëhen grupe dhe parti.


Prandaj, edhe trajtimi për këtë nuk ka zgjidhje tjetër veçse këta muslimanë ta kenë frikë Zotin e tyre të Plotfuqishëm, dhe ta dinë se jo çdokush që sapo ka filluar kërkimin e dijes ka të drejtë të dalë në krye për të dhënë fetva rreth hallallit dhe haramit, apo për të gjykuar hadithet si të sakta ose të dobëta.
Kjo nuk bëhet veçse pas një kohe të gjatë, gjatë së cilës njeriu ushtrohet dhe përvetëson se si jepet fetvaja dhe si nxirren dispozitat nga Kur’an-i dhe Suneti.


Në këtë aspekt, këta thirrës ose selefij duhet patjetër të kufizohen me atë kusht të qëndrueshëm, të cilin e kam përmendur më herët gjatë fjalës për dijen e dobishme dhe veprën e mirë.

Ne thamë se dija e dobishme duhet të jetë sipas metodologjisë së selefëve të parë të mirë. Prandaj, kur shumë prej thirrësve islamë sot shmangen nga respektimi i këtij kushti të qëndrueshëm, të cilit i ka bërë shenjë imam Ibnul-Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, në vargjet e tij të mëparshme ku ka thënë:
Dija është: “Ka thënë Allahu, ka thënë i Dërguari i Tij, kanë thënë sahabët…”

Moskushtimi i vëmendjes ndaj rrugës në të cilën ishin selefët e parë të mirë, i kthen njerëzit, pasi ishin të bashkuar, drejt përçarjes, e cila i largon ata nga njëri-tjetri, ashtu siç i ka larguar më parë shumë prej muslimanëve, duke i bërë grupe dhe parti:

كُلُّ حِزْبٍ بِمَا لَدَيْهِمْ فَرِحُونَ
“Secili grup është i kënaqur me atë që ka.” (Rrum 32).

Ky është mendimi im për këtë realitet. Nëse ata janë të sinqertë – siç shpresojmë – atëherë duhet të kapen pas parimeve të sakta të dijes dhe ai që nuk ka arritur në mënyrë të drejtë shkallën e dijes, të mos guxojë të paraprijë në këto çështje, por të përmbahet prej kësaj dhe t’ia lërë dijen dijetarit të saj.

Në këtë aspekt më pëlqejnë disa transmetime që kanë ardhur në librat e hadithit; mendoj se janë nga AbduRrahman ibën Ebi Lejla,

Allahu e mëshiroftë, i cili ishte prej dijetarëve të mëdhenj të selefëve të parë të mirë. Ai ka thënë:
“Kam takuar në këtë xhami – ndoshta ka për qëllim xhaminë e Medinës së ndritur – një numër të caktuar sahabësh,” – unë e kam harruar numrin – “dhe kur ndonjëri prej tyre pyetej…” (shejhu thotë) A thash gjë?
Pyetësi: The: shtatëdhjetë.


Shejhu: Shtatëdhjetë, ndoshta kështu ka qenë. E rëndësishme është: “Kam takuar në këtë xhami shtatëdhjetë prej sahabëve; kur ndonjëri prej tyre pyetej për ndonjë çështje, ose i kërkohej fetva për ndonjë dispozitë, dëshironte që këtë ta merrte përsipër dikush tjetër prej dijetarëve të sahabëve që ishin të pranishëm.”


Shkaku i kësaj ishte se ata frikësoheshin mos binin në gabim dhe, si pasojë, të fusnin edhe të tjerët në gabim. Prandaj, secili prej tyre dëshironte të mos e mbante këtë përgjegjësi, por ta merrte përsipër dikush tjetër.


Ndërsa tani, me keqardhje të madhe, kjo dukuri është krejtësisht e kundërt. Kjo kthehet te një shkak i qartë, të cilin unë e përmend gjithmonë: gjallërimi që po e ndiejmë sot ndaj Kur’an-it, Sunetit dhe thirrjes selefije është diçka e re.


Ky gjallërim, të cilin ata e quajnë “zgjim islam”, nuk ka kaluar ende një kohë e gjatë që njerëzit të vjelin frytet e kësaj thirrjeje, të këtij zgjimi dhe të kësaj gjallërie në vetët e tyre; domethënë: të edukohen mbi bazën e Kur’an-it dhe Sunetit, pastaj më vonë ta përhapin këtë edukim të saktë, të ngritur mbi Kur’an-in dhe Sunetin, tek të tjerët përreth tyre, duke filluar nga më të afërmit e pastaj tek ata që vijnë pas tyre.


Pra, shkaku është se kjo thirrje ende nuk e ka shfaqur ndikimin e saj, sepse është e re në këtë kohë në të cilën po jetojmë.
Për këtë arsye, ne gjejmë të kundërtën me atë që përmendëm më parë nga transmetimi i AbduRrahman ibën Ebi Lejles për ata sahabë, të cilët ruheshin shumë nga përgjigjja kur pyeteshin dhe dëshironin që të pyetej dikush tjetër.
Ata nuk përgjigjeshin ndaj pyetjes përveçse ngaqë e dinin se nuk u lejohej ta fshihnin dijen; mirëpo, në thellësi të zemrave të tyre dëshironin që këtë përgjegjësi ta merrte përsipër dikush tjetër.


Ndërsa tani, në shumë prej shoqërive selefije – e lëre më në të tjerat – ndodh që të pyetet dikush për të cilin mendohet se është më i dituri prej të pranishmëve, por papritur e sheh filanin që fillon të flasë, edhe pse nuk është ai i pyeturi; dhe filanin tjetër që fillon të flasë, edhe pse nuk është ai i pyeturi.


Çfarë i shtyn këta?
Është dashuria për t’u dukur, është egoizmi: “Unë jam këtu”, domethënë: “Unë kam dije.” E masheAllah për të!
Çfarë tregon kjo?


Tregon se ne nuk jemi edukuar me edukatën selefije. Ne jemi rritur mbi dijen selefije, secili sipas përpjekjes dhe mundit të tij në kërkimin e kësaj dijeje, mirëpo edukimin ende nuk e kemi arritur si shoqëri islame selefije.
Prandaj, këto xhemate, këto grupime dhe këto parti, në çdo grup prej tyre gjejmë një përçarje të tillë, dhe shkaku i saj nuk është tjetër veçse mungesa e edukimit të saktë islam.


Prej më shumë se njëzet vitesh unë them: shërimi i kësaj umeti, që t’i kthehet lavdia dhe të ngrihet shteti i tij, nuk ka rrugë tjetër përveçse të fillohet me atë që unë e përmbledh në dy fjalë: dëlirje dhe edukim (et-tasfije uet-terbije).


Kjo bie ndesh me rrugën e shumë grupeve, të cilat përpiqen ta ngritin shtetin musliman – sipas pretendimit të tyre – duke vënë dorë mbi pushtetin; qoftë kjo në rrugë paqësore, siç thonë ata, përmes zgjedhjeve, apo në rrugë të përgjakshme, siç janë grushtshtetet ushtarake, revolucionet e përgjakshme dhe të ngjashme me këto.


Ne themi: kjo nuk është rruga për ngritjen e shtetit islam në tokën islame. Rruga e vërtetë është rruga e të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, i cili thirri në Mekë – siç e dini – trembëdhjetë vite, pastaj e plotësoi thirrjen në Medinë.
Atje, pasi rreth tij u formua një grup burrash të përzgjedhur prej atyre që e pasuan dhe besuan në të, burra të tillë që nuk i frikësonte në rrugën e Allahut qortimi i askujt, ai filloi të vendoste themelet e shtetit musliman.


Historia – siç thonë – përsërit vetveten. Prandaj, nuk ka kurrfarë rruge tjetër, dhe unë jam i bindur për atë që them; ndërsa përvoja reale, prej afërsisht një shekulli, tregon se nuk ka aspak mundësi për të realizuar një ringjallje të saktë islame, e pas saj ngritjen e shtetit musliman, përveçse duke i realizuar këto dy synime: dëlirjen: që nënkupton dijen e saktë; dhe edukimin: që do të thotë që njeriu të jetë i edukuar në këtë dije të saktë, në Kur’an dhe Sunet.


Ne sot po përjetojmë një zgjim në dije, mirëpo jo një zgjim në edukim. Prandaj, gjejmë shumë individë prej disa thirrësve, prej të cilëve mund të përfitohet dije, por jo edhe moral.

Pse? Sepse ai e ka formuar veten në dije, mirëpo nuk ka qenë në një ambient të mirë, ku të edukohej që nga fëmijëria e hershme. Prandaj, ai jeton dhe vazhdon të mbartë moralet që i ka trashëguar nga ajo shoqëri ku ka jetuar dhe është rritur; një shoqëri e cila, pa dyshim, nuk është shoqëri islame.


Mirëpo, ai ka arritur, me përpjekjen e tij personale, ose me udhëzimin e disa dijetarëve, të marrë një drejtim të saktë në aspektin e dijes. Por kjo dije nuk e ka shfaqur ndikimin e saj në moralin e tij, në sjelljen e tij dhe në veprat e tij.
Prandaj, kjo dukuri për të cilën po flasim tani, shkaku i saj është ky: ne ende nuk jemi pjekur në aspektin e dijes, përveçse disa individë të paktë.


Së dyti: shumica e individëve, nuk janë edukuar me një edukim të saktë islam. Prandaj, sheh shumë fillestarë në kërkimin e dijes që e vendosin veten në krye: kryetar të një xhemati apo kryetar të një partie.


Këtu vjen një urtësi e vjetër që shpreh pasojën e kësaj dëshire për t’u dukur, e cila thotë: “Dashuria për t’u dukur i thyen shpinat.”
Pra, shkaqet e kësaj kthehen te mungesa e edukimit të saktë në këtë dije të saktë. Po.

Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë!
(Huda uen-Nur 188; minuta 00:23:49)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi IslamYouTube-inTelegramin dhe Facebook-in.

Artikuj të lidhur

Back to top button