Gjykimi i vizatimit të një kopshti që paraqet Xhenetin, si dhe zjarrit që paraqet Xhehenemin

Pyetja: Cili është gjykimi i vizatimit të një kopshti që paraqet Xhenetin, si dhe zjarrit që paraqet Xhehenemin?

Shejhu: Kjo nuk lejohet, sepse ne nuk e dimë mënyrën dhe realitetin e tyre, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: فَلَا تَعۡلَمُ نَفۡسٞ مَّآ أُخۡفِيَ لَهُم مِّن قُرَّةِ أَعۡيُنٖ جَزَآءَۢ بِمَا كَانُواْ يَعۡمَلُونَ

“Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Sexhde: 17).

Ne nuk e dimë se si është zjarri (i Xhehenemit). Ai është bërë më i fortë se zjarri i kësaj bote me gjashtëdhjetë e nëntë pjesë. Zjarri i kësaj bote, me gjithë llojet e tij, qoftë zjarri i fortë si zjarri i gazit e të tjera më të fuqishme, a mundet dikush ta paraqesë zjarrin e Xhehenemit? Jo, askush nuk mundet.

Prandaj, ai që e bën këtë, ka arritur deri në atë që kjo të jetë e ndaluar (haram).

Për fat të keq, njerëzit sot kanë filluar t’i paraqesin çështjet e botës së ardhshme sikur të jenë gjëra materiale që shihen me sy.

Kam parë një letër ku ishin shkruar disa kalime me katrorë: vdekja ishte një katror, varri një tjetër, Kiameti një tjetër, e kështu me radhë. Sikur dikush të kishte vizatuar gjërat pas vdekjes me vija dhe katrorë gjeometrikë. Kjo është një guxim i madh (ndaj çështjeve të së padukshmes), Allahu na ruajtë.

Pastaj i thuhet: Nga e di ti se kjo vjen pas asaj?

Ne e dimë se varri vjen pas jetës së kësaj bote dhe ringjallja vjen pas varrit, por hollësitë e asaj që do të ndodhë në Ditën e Kiametit, si llogaria, peshoret dhe të tjera, kush e di renditjen e tyre? Por kjo është një guxim i madh, një guxim i madh.

E çuditshmja është se kjo fletë shpërndahet mes njerëzve, por kjo është pjesë e atyre fletëve që sot shpërndahen dhe përmbajnë gënjeshtra të atribuuara të Dërguarit i Allahut, salAllahu alejhi ue selem.

Prandaj duhet pasur kujdes dhe duhet paralajmëruar kundër këtyre fletëve.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!

(Lika elBab elMeftuh nr.222)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button