Si të sillemi me atë që është zemëruar

“Kur ta shohësh shokun tënd se është zemëruar dhe ka filluar të flasë gjëra që nuk janë të përshtatshme, nuk duhet t’i marrësh seriozisht fjalët e tij dhe as ta qortosh për to; sepse gjendja e tij është si gjendja e të dehurit, nuk e di çfarë po ndodh. Përkundrazi, bëj durim derisa t’i kalojë shpërthimi i zemërimit dhe mos u mbështet në ato fjalë, sepse shejtani e ka mposhtur, natyra e tij është trazuar dhe mendja i është mbuluar.

Nëse ti fillon ta mbash në zemër atë që tha dhe i përgjigjesh sipas veprimit të tij, atëherë je si një i mençur që përballet me një të çmendur, ose si një i vetëdijshëm që qorton një të alivanosur; në këtë rast, faji bie mbi ty. Përkundrazi, shikoje me syrin e mëshirës, vështro se si kaderi po vepron mbi të, dhe kupto se si natyra e tij është trazuar dhe po e shtyn të sillet ashtu. Dije se kur të kthjellohet, do të pendohet për atë që ndodhi dhe do ta kuptojë vlerën e durimit tënd.

Këtë gjendje duhet ta mësojë fëmija kur zemërohet prindi, dhe gruaja kur zemërohet burri: ta lërë derisa të shfryjë me ato që thotë dhe të mos i marrë ato fjalë për bazë, sepse ai do të kthehet i penduar dhe duke kërkuar falje. Shumica e njerëzve nuk janë në këtë rrugë: kur shohin një të zemëruar, ia kthejnë me të njëjtat fjalë dhe veprime. Kjo nuk është sipas urtësisë. Përkundrazi, urtësia është ajo që përmenda:

‘Por askush nuk do t’i kuptojë përveç të diturve.’ (Ankebut 43)”

Ibnul-Xheuzi, Allahu e mëshiroftë,
(Sajdul-Hatir, f. 468)
Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.

Related Articles

Back to top button