Cili është sekreti i përparësisë së nënës ndaj babait në bamirësi ndaj prindërve: “Nëna jote, pastaj nëna jote, pastaj nëna jote…”?
Një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, kush është më meritori prej njerëzve për shoqërimin dhe sjelljen time të mirë?” Ai tha: “Nëna jote.” Pastaj tha: “Kush tjetër?” Ai tha: “Nëna jote.” Pastaj tha: “Kush tjetër?” Ai tha: “Nëna jote.” Pastaj tha: “Kush tjetër?” Ai tha: “Babai yt.” (E transmeton Buhariu dhe Muslimi, dhe teksti është i Muslimit.)
Dijetari Ibën Battal, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Sekreti i përparësisë së nënës ndaj babait tri herë është se nëna veçohet nga babai me tri gjëra:
- vështirësinë e shtatzënisë.
- pastaj lindjen.
- pastaj gjidhënien.
Këto janë gjëra me të cilat veçohet nëna dhe lodhet prej tyre; pastaj ajo bashkë me babain merr pjesë në edukimin e fëmijës. Këtë e tregon edhe fjala e Allahut të Lartësuar:
وَوَصَّيْنَا الْإِنْسانَ بِوالِدَيْهِ حَمَلَتْهُ أُمُّهُ وَهْناً عَلى وَهْنٍ وَفِصالُهُ فِي عامَيْنِ
“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vjetësh…” (Lukman 14).
Pra, Allahu i barazoi të dy prindërit në porosi, por e veçoi nënën me këto tri çështje.”
(Fet’hul-Bari 10/402)
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.