Shejtani është ai që i nxit këta që t’i cenojnë dijetarët – përgojimi i dijetarëve e dëmton tërë Islamin!
Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Mos u çudit kur njerëzit thonë për ndonjë dijetar prej dijetarëve: ‘Ky dijetar ka këtë e atë’, dhe e përshkruajnë me të meta. Sepse shejtani është ai që i nxit këta njerëz që t’i cenojnë dijetarët.
Kjo sepse, nëse ata i cenojnë dijetarët, atëherë fjalët e tyre bien tek njerëzit dhe njerëzve nuk u mbetet më askush që t’i udhëheqë me Librin e Allahut.
E kush do t’i udhëheqë ata me Librin e Allahut, nëse nuk kanë besim te dijetarët dhe te fjalët e tyre? Atëherë i udhëheqin shejtanët dhe pala e shejtanit.
Prandaj, përgojimi i dijetarëve është shumë më i rëndë sesa përgojimi i njerëzve të tjerë. Sepse përgojimi i njerëzve të tjerë është përgojim personal; nëse dëmton, nuk dëmton veçse atë që përgojon dhe atë për të cilin është thënë përgojimi.
Ndërsa përgojimi i dijetarëve e dëmton tërë Islamin, sepse dijetarët janë bartësit e flamurit të Islamit. Kur bie besimi në fjalët e tyre, bie flamuri i Islamit, dhe në këtë ka dëm për umetin islam.
Nëse mishi i njerëzve, përmes përgojimit, është mish i ngordhur, atëherë mishi i dijetarëve është mish i ngordhur i helmuar, për shkak të dëmit të madh që përmban.
Prandaj, mos u çudit kur dëgjon dikë duke i sharë dijetarët. Edhe për të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem është thënë ajo që është thënë. Andaj bëj durim, shpreso shpërblimin tek Allahu i Plotfuqishëm dhe dije se përfundimi i mirë është për devotshmërinë.
Përderisa njeriu është në devotshmëri dhe në dritë prej Allahut të Plotfuqishëm, përfundimi i mirë do të jetë për të.”
(Sher’h Rijadus-Salihin, 1/256)
Përktheu: Besim Gjelaj