A lejohet kushtëzimi në namazin e xhenazes për atë që dyshohet në Islamin e tij?
Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Këtu është një çështje. Disa njerëz thonë: Na sillen xhenaze dhe ne dyshojmë në Islamin e të vdekurit, sepse e dimë, për shembull, se ai nuk falej. Prandaj dyshojmë: a duhet të largohemi dhe të mos ia falim namazin, sepse ai që vdes duke mos u falur (sipas një mendimi të ehlu sunetit) nuk i falet namazi i xhenazes, apo duhet t’ia falim?
Allahu thotë për munafikët: وَلا تُصَلِّ عَلَى أَحَدٍ مِنْهُمْ مَاتَ أَبَداً وَلا تَقُمْ عَلَى قَبْرِهِ
“Askujt prej hipokritëve, kur të vdesin, mos ia fal xhenazen, dhe mos qëndro pranë varrit të tij.” (Teube 84).
Përgjigjja është:
Nëse sillet për t’ia falur namazin e xhenazes dikush për të cilin dyshon në Islamin e tij, ose dyshon nëse ka dalë nga feja, atëherë bëj kushtëzim.
Si bëhet kushtëzimi?
Thuaj:
“O Allah, nëse ai ka qenë besimtar, fale dhe mëshiroje.”
Nëse e thua këtë, atëherë je liruar nga përgjegjësia, sepse ti nuk e di, ndërsa Allahu i Lartësuar e di.
Pra thuaj:
“O Allah, nëse ai ka qenë besimtar, fale dhe mëshiroje.”
Unë po ju tregoj një ndodhi rreth kësaj. Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij A’lamul-Muvekki’in, ka thënë:
“Shejhul-Islam Ibën Tejmijes i ishin paqartësuar disa çështje të dijes. Allahu i mundësoi që ta shihte Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në ëndërr dhe e pyeti për to. Prej tyre ishte edhe çështja kur sillen disa njerëz prej ithtarëve të bidatit, për të cilët dyshohet nëse bidati i tyre është bidat që nxjerr nga feja apo bidat që e bën njeriun mëkatar. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i tha në ëndërr:
‘Përmbaju kushtëzimit, o Ahmed.’”
Kush është Ahmedi këtu?
Ibën Tejmije.
Pra, “përmbaju kushtëzimit”, domethënë të thuash:
“O Allah, nëse ai ka qenë besimtar, fale atë.”
Nëse dikush thotë:
A lejohet kushtëzimi në dua?
Përgjigjja është:
Po, lejohet kushtëzimi në dua.
A nuk ka thënë Allahu i Lartësuar në ajetin e li’anit: أَنَّ لَعْنَتَ اللَّهِ عَلَيْهِ إِنْ كَانَ مِنَ الْكَاذِبِينَ
“…dhe mallkimi i Allahut qoftë mbi të (burrin), nëse është prej gënjeshtarëve.” (Nur 7).
Dhe gruaja thotë: أَنَّ غَضَبَ اللَّهِ عَلَيْهَا إِنْ كَانَ مِنَ الصَّادِقِينَ
“…dhe zemërimi i Allahut qoftë mbi të (gruan), nëse ai është prej të sinqertëve.” (Nur 9).
Po ashtu, në duanë e istiha’res thuhet:
“O Allah, nëse Ti e di se kjo gjë është e mirë për mua, atëherë ma mundëso dhe ma lehtëso atë.”
Me kaq po e përfundojmë tani; pas ezanit, inshaAllah, do të vazhdojmë.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Nuk ka ndonjë musliman që vdes dhe xhenazen e tij ia falin dyzet burra, të cilët nuk i bëjnë shirk Allahut me asgjë, veçse Allahu e pranon ndërmjetësimin e tyre për të.”
Dhe përmendëm një çështje që u bëhet e paqartë disa njerëzve: Kur sillet xhenazja dhe njeriu dyshon në Islamin e të vdekurit. Po ashtu, ju përmendëm ëndrrën që e kishte parë Shejhul-Islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, dhe se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e udhëzoi drejt çfarë? Drejt kushtëzimit.
Gjithashtu përmendëm: a ka për këtë ëndërr ndonjë dëshmi nga Kur’ani dhe Suneti?
Thamë: Po. Prej tyre është ajeti i li’anit.
Burri i cili e akuzon gruan e tij për zina, pastaj nuk sjell dëshmi për këtë dhe as gruaja nuk e pranon atë akuzë, atëherë mes tyre bëhet li’ani.
Në dëshminë e pestë, burri thotë: أَنَّ لَعْنَتَ اللَّهِ عَلَيْهِ إِنْ كَانَ مِنَ الْكَاذِبِينَ
“…dhe mallkimi i Allahut qoftë mbi të (burrin), nëse është prej gënjeshtarëve.” (Nur 7).
Kjo është duaja e lidhur me kusht.
Ndërsa gruaja, në dëshminë e pestë, si përgjigje ndaj burrit të saj, thotë: أَنَّ غَضَبَ اللَّهِ عَلَيْهَا إِنْ كَانَ مِنَ الصَّادِقِينَ
“…dhe zemërimi i Allahut qoftë mbi të (gruan), nëse ai është prej të sinqertëve.” (Nur 9).
Po ashtu, përmendëm nga Suneti duanë e istiha’res:
“O Allah, nëse Ti e di se kjo është e mirë për mua në fenë time, në dynjanë time, në përfundimin e çështjes sime dhe në të tashmen e saj, atëherë ma mundëso atë.”
Kjo është duaja e lidhur me kusht.
Madje, kushtëzimi lejohet edhe në adhurime. Dube’atu bint ez-Zubejr erdhi ta pyeste të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem dhe i tha se dëshironte ta kryente haxhin, por ishte e sëmurë.
I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem i tha:
“Kryeje haxhin dhe kushtëzo duke thënë: ‘Dalja ime nga ihrami do të jetë aty ku Ti më ndalon’, sepse ti ke te Zoti yt atë që e ke kushtëzuar.”
(Fetawa el-Harem en-Nebevij, 35-B)
Përktheu: Besim Gjelaj