Nga metoda e Ehlu Sunetit është lutja për prijësit!
Muhadithi i Medinës, shejh Abdul-Muhsin el-Abbad, Allahu e ruajttë, thotë:
“Prej këshillës ndaj udhëheqësve është të lutemi për ta dhe të mos lutemi kundër tyre; kjo është metoda e Ehlu Sunetit dhe Xhematit.
Shejhul-Islam, Ibën Tejmije në librin Es-Sijase esh-Sher’ijje, ka thënë (f. 129):
“Për këtë arsye selefët, si Fudajl ibën Ijad, Ahmad ibën Hanbel dhe të tjerë, thoshin: ‘Sikur të kishim një lutje që pranohet, do ta bënim për sundimtarin.’”
Ebu Muhamed, Hasen el-Berbahari në librin e tij Sher’hus-Sunne, ka thënë (f. 116):
“Nëse e sheh një njeri që lutet kundër sundimtarit, dije se ai është pasues i epshit (bidatit); dhe nëse e sheh një njeri që lutet për përmirësimin e sundimtarit, dije se ai është pasues i Sunetit, nëse do Allahu.”
Fudajl ibën Ijad, ka thënë:
“Sikur të kisha një lutje të pranuar, nuk do ta bëja për askënd tjetër përveçse për sundimtarin.”
Po ashtu e ka transmetuar një tjetër nga Fudajl ibën Ijadi, ku ka thënë: “Sikur të kish një lutje të pranuar, nuk do ta bëja për askënd tjetër përveçse për sundimtarin.”
Dikush i tha: “O Ebu Ali, na e shpjego këtë.”
Ai tha:
“Nëse e bëj për veten time, ajo nuk shkon përtej meje; por nëse e bëj për sundimtarin, ai përmirësohet, dhe me përmirësimin e tij përmirësohen robërit dhe vendi. Ne jemi urdhëruar të lutemi për ta për mirësi dhe nuk jemi urdhëruar të lutemi kundër tyre, edhe nëse bëjnë padrejtësi dhe shtypje; sepse padrejtësia e tyre është kundër vetes së tyre, ndërsa përmirësimi i tyre është për veten e tyre dhe për muslimanët.”
Tahavi në Akiden e Ehlu Sunetit ka thënë:
“Ne nuk e shohim të lejuar kryengritjen kundër udhëheqësve dhe sundimtarëve tanë, edhe nëse bëjnë padrejtësi; nuk lutemi kundër tyre dhe nuk e heqim dorën nga bindja ndaj tyre. Ne e shohim bindjen ndaj tyre si pjesë të bindjes ndaj Allahut të Madhëruar, obligim, përderisa nuk urdhërojnë për mëkat; dhe lutemi për ta për mirësi dhe shëndet.” (El-Akidetu et-Tahavijje me shpjegimin e Ibën Ebil-Izz, f. 540)
Shejh Sabuni në librin e tijh Akidetus-Selef As’habul-Hadith, ka thënë (f. 92–93):
“Pasuesit e hadithit e shohin faljen e xhumasë, të bajrameve dhe namazeve të tjera pas çdo imami musliman, qoftë i mirë apo mëkatar; e shohin luftën kundër jobesimtarëve bashkë me ta, edhe nëse janë të padrejtë e të prishur; dhe e shohin lutjen për ta për përmirësim, sukses, drejtësi dhe vendosje të drejtësisë mbi popullin.”
(Katful-Xhenna ed-Deni sher’h Mukaddimeti Risaleti Ibën Ebi Zejd el-Kajrevani f.175-176)
Përktheu: Besim Gjelaj