Meditimi i Kur’an-it është obligim

Shejh Salih Alu Shejh, Allahu e ruajttë, thotë:

Lidhur me fjalën e Shejhul-Islam Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë):  “Kush e mediton Kur’an-in duke kërkuar udhëzimin prej tij…” Meditimi i Kur’an-it është obligim, sepse Allahu ka nxitur për të dhe ka urdhëruar për të.

Allahu i Lartësuar, thotë: أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَى قُلُوبٍ أَقْفَالُها

“A nuk e meditojnë ata Kur’an-in, apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhamed: 24).

Ky ajet tregon se kush nuk e mediton Kur’an-in, zemra e tij ka një dry.

Po ashtu, Allahu i Madhëruar, thotë:  أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ وَلَوْ كَانَ مِنْ عِنْدِ غَيْرِ اللَّهِ لَوَجَدُوا فِيهِ اخْتِلَافًا كَثِيرًا

“A nuk e meditojnë ata Kur’an-in? Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (Nisa: 82).

Dhe thotë: أَفَلَمْ يَدَّبَّرُوا الْقَوْلَ أَمْ جَاءَهُمْ مَا لَمْ يَأْتِ آبَاءَهُمُ الْأَوَّلِين

“Vallë, a nuk kanë medituar ata mbi Fjalën (Kur’an-in) apo atyre u ka ardhur ajo që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre?” (Mu’minun: 68).

Gjithashtu thotë: وَمَا أَرْسَلْنَا مِنْ رَسُولٍ إِلَّا بِلِسَانِ قَوْمِهِ لِيُبَيِّنَ لَهُم

“Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit).” (Ibrahim: 4).

Dhe Allahu i Lartësuar, thotë: إِنَّا جَعَلْنَاهُ قُرْآنًا عَرَبِيًّا

“Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kur’an-in në gjuhën arabe…” (Zuhruf: 3).

Po ashtu: إِنَّا أَنْزَلْنَاهُ قُرْآنًا عَرَبِيًّا

“Ne e zbritëm këtë Kur’an në gjuhën arabe…” (Jusuf: 2).

Dhe ka shumë ajete të tjera me këtë kuptim.

Pra, Kur’an-i është në gjuhën arabe dhe kuptohet nëpërmjet kësaj gjuhe. Allahu i Plotfuqishëm ka nxitur për meditimin e tij, madje ka urdhëruar për këtë.

(Fjala e Ibën Tejmijes): “Prandaj, kush e mediton Kur’an-in duke kërkuar udhëzimin prej tij, atij do t’i bëhet e qartë rruga e së vërtetës.”

Fjala e shejhut, Allahu e mëshiroftë: “duke kërkuar udhëzimin prej tij”, tregon se ka njerëz që e meditojnë Kur’an-in, por jo për të kërkuar udhëzim prej tij. Përkundrazi, e meditojnë për të kërkuar interpretime të shtrembëruara, interpretime të sforcuara (largim nga kuptimi i natyrshëm i tekstit) dhe deformime të kuptimeve. Kjo është gjendja e pasuesve të epsheve dhe devijimeve.

Mu’tezilitë, për shembull, e kanë medituar Kur’an-in, por jo për të kërkuar udhëzim. Ata e kanë bërë këtë për t’i shmangur ajetet nga kuptimi i tyre i dukshëm dhe nga realiteti i tyre, duke i kthyer në interpretime të dobëta dhe shtrembërime të devijuara.

(Fjala e Ibën Tejmijes): “Prandaj, kush e mediton Kur’an-in duke kërkuar udhëzimin prej tij, do ta njohë qartë rrugën e së vërtetës.”

Është detyrë që Kur’an-i të meditohet për të marrë udhëzimin prej tij, sepse Allahu i Plotfuqishëm e ka bërë atë udhëzues drejt rrugës më të drejtë.

Allahu i Lartësuar, thotë: إِنَّ هَذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَم

“Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira…” (Isra: 9).

Fjala e Tij: “drejt asaj që është më e mira” është e përgjithshme dhe përfshin çështjet e besimit, lajmet dhe dispozitat.

Në çështjet e besimit dhe të lajmeve, Kur’an-i udhëzon drejt asaj që është më e mira.

Edhe në çështjet e dispozitave fetare, Kur’an-i udhëzon drejt asaj që është më e drejta.

Prandaj:

Kush dëshiron udhëzim, ai gjendet në Librin e Allahut.

Kush dëshiron përmirësimin e vetes, ai gjendet në Kur’an.

Kush dëshiron sqarimin e imanit, ai gjendet në Kur’an.

Kush dëshiron dispozitat fetare, ato gjenden në Kur’an.

Ndërsa Suneti është sqarues i Kur’an-it, shpjegues i tij, udhëzues drejt tij dhe interpretues i tij, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: وَأَنْزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُون

“Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kur’an-in), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” (Nahl: 44).

(El-Leali el-Behijje fi Sher’h el-Akidil-Uasitijje, f.475–477)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button