Më shkoi ndër mend…

Se qetësia shpirtërore dhe familjare, pas vullnetit të Allahut, vjen si rezultat i gruas së mirë. Njeriu mund ta humbasë pasurinë, të mos e shfrytëzojë dijen e tij dhe të mos e kryejë si duhet punën e tij për shkak të shqetësimit që përjeton në shtëpinë e tij me familjen.

Prandaj, gruaja e mirë është prej mirësive të kësaj bote. Ajo është ajo që e gëzon burrin e saj kur ai e shikon, e qetëson kur kthehet tek ajo, nuk i drejtohet me fjalë të ashpra e fyese dhe nuk ia përmend të këqijat. Ajo e ruan atë në nderin e saj, në shtëpinë e tij dhe në kujdesin për fëmijët e tij.

A nuk e sheh hadithin e Ebu Hurejrës, të cilin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi:

“Gratë e fisit Kurejsh janë gratë më të mira që kanë hipur mbi deve; janë më të dhembshmet ndaj fëmijëve dhe më të përkushtuarat në ruajtjen e pasurisë së burrit të tyre.”

Pra, në këtë hadith u përmend epërsia e grave të fisit Kurejsh ndaj grave të tjera arabe, sepse ato ishin më të dhembshmet ndaj fëmijëve dhe më të përkushtuarat për të drejtat dhe pasurinë e burrit të tyre.

Gruaja nuk e di se sa pozitë të madhe mund të arrijë tek Allahu i Lartësuar përmes mirësisë së saj ndaj burrit. Po ashtu, nuk e di se sa vend të madh fiton në zemrën e burrit të saj kur sillet kështu.

Prandaj, bëje shtëpinë tënde prehje për burrin tënd. Ndihmoje t’i largojë brengat dhe pikëllimin, e mos u bë ti shkak për trishtimin dhe shqetësimin e tij.

Mbushe shtëpinë tënde me butësi dhe dashamirësi, që edhe burri yt ta mbushë atë me dashuri, respekt dhe përkujdesje ndaj teje.

Allahu ju bekoftë, ju dhëntë bereqet dhe ju bashkoftë në çdo të mirë.

Shejh Muhamed Bazmul, Allahu e ruajttë!

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Shikoni gjithashtu
Close
Back to top button