Gjuha dhe mëkatet e saj

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Për këtë arsye, durimi ndaj mëkateve të gjuhës dhe të organit gjenital është prej llojeve më të vështira të durimit, për shkak të fuqisë së shtysës drejt tyre dhe lehtësisë së kryerjes së tyre.

Sepse mëkatet e gjuhës janë si një ëmbëlsirë për njeriun:

-si bartja e fjalëve për të shkaktuar përçarje,

-përgojimi,

-gënjeshtra,

-polemika,

-lavdërimi i vetvetes, qoftë në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë,

-përcjellja e fjalëve të njerëzve,

-sulmimi dhe përçmimi i atij që e urren,

-lavdërimi i atij që e do,

-dhe të ngjashme me këto.

Kështu, bashkohen fuqia e shtysës dhe lehtësia e lëvizjes së gjuhës, dhe për këtë arsye dobësohet durimi.

Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem i ka thënë Muadhit:

“Ruaje gjuhën tënde!”

Ai tha: “A do të merremi në llogari edhe për atë që flasim?”

Ai salAllahu alejhi ue selem tha:

“A i hedh njerëzit në Zjarr me fytyrat e tyre përmbys diçka tjetër përveç asaj që kanë korrur me gjuhët e tyre?”

Sidomos kur mëkatet e gjuhës bëhen të zakonshme për njeriun, atëherë e ka shumë të vështirë të përmbahet prej tyre.

Për këtë arsye, mund të shohësh një njeri që fal namaz nate, agjëron gjatë ditës dhe ruhet edhe nga mbështetja për një çast të vetëm në një jastëk prej mëndafshi, ndërkohë që e lëshon gjuhën e tij:

-në përgojim dhe bartje fjalësh për të shkaktuar përçarje,

-në tallje e dëfrim duke folur për nderin e njerëzve,

-dhe në të folurit për Allahun pa dije.

(Uddetus-Sabirin, f. 126–127)

Përktheu: Besim Gjelaj

Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.

Related Articles

Back to top button