Kur i jepet jetimit pasuria e tij?

Pyetja:

I nderuar Shejh, unë jam kujdestar ligjor i disa jetimëve, ndërsa nëna e tyre është motra ime. Pasuritë e tyre janë nën kujdesin tim. Ata kanë një burim të qëndrueshëm të të ardhurave, që është qiraja e një ndërtese, e cila ua mbulon nevojat. Pyetja ime është: kur më lejohet t’ua dorëzoj pasurinë që u takon? Djali më i madh është katërmbëdhjetë vjeç, ndërsa nëna e tyre nuk ka njohuri të mjaftueshme. Pasuria e tyre është tek unë, në një vend të sigurt. Kur u lejohet atyre ta marrin pasurinë e tyre?

Përgjigja:

Allahu i Lartësuar na ka dhënë përgjigjen për këtë çështje, kur ka thënë: وَابْتَلُوا الْيَتَامَى

 “Vërini në provë jetimët…” (Nisa: 6).

Domethënë: i provoni dhe i testoni ata në shitblerje, derisa të arrijnë moshën e pjekurisë: حَتَّى إِذَا بَلَغُوا النِّكَاحَ فَإِنْ آنَسْتُمْ مِنْهُمْ رُشْداً فَادْفَعُوا إِلَيْهِمْ أَمْوَالَهُمْ

 “…derisa të bëhen për martesë! Nëse vëreni se janë pjekur, atëherë jepuani pasurinë e tyre!” (Nisa: 6).

Fjala “آنستم” (vëreni) do të thotë: e shihni dhe e kuptoni se ata janë të aftë për të vepruar me mençuri dhe maturi.

Prandaj themi: këtyre jetimëve, më i madhi i të cilëve është katërmbëdhjetë vjeç, nuk ua dorëzoni pasurinë derisa të arrijnë moshën e pjekurisë dhe të vërtetohet se janë të aftë për të menaxhuar pasurinë dhe për të vepruar me të në mënyrë të mençur. Atëherë ua dorëzoni pasurinë, sepse Allahu e ka sqaruar këtë në Kur’an:

حَتَّى إِذَا بَلَغُوا النِّكَاحَ فَإِنْ آنَسْتُمْ مِنْهُمْ رُشْداً فَادْفَعُوا إِلَيْهِمْ أَمْوَالَهُمْ

“…derisa të bëhen për martesë! Nëse vëreni se janë pjekur, atëherë jepuani pasurinë e tyre!” (Nisa: 6).

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë!

(Lika esh-Shehri, nr. 9)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Shikoni gjithashtu
Close
Back to top button