Durimi në kërkimin e dijes

Nxënësi i dijes, pas nijetit (qëllimit), ka nevojë për një çështje tjetër: të dijë se rruga e dijes nuk është e shkurtër. Rruga e dijes është shumë e gjatë; ajo shoqëron njeriun që nga momenti kur fillon kërkimin e dijes, e deri kur Allahu ta përmbushë caktimin e Tij me vdekjen e tij.

Dhe, meqë është kështu, atëherë përgatitja e vetes për durim është e domosdoshme.

Durimi këtu është në dy aspekte:

Aspekti i parë: Dija është adhurim, dhe çdo adhurim ka nevojë për durim.

Aspekti i dytë: Durimi në qëndrueshmërinë në rrugën e kërkimit të dijes. Kërkimi i dijes kërkon shumë durim.

A është durimi vetëm në pjesëmarrjen në mësime? Jo.

A është vetëm në shoqërimin e dijetarëve? Jo.

A është vetëm në dëgjimin e dijes? Jo.

Nuk është vetëm kjo; por kërkohet edhe durim që njeriun të mos e shpërqendrojnë nga dija gjërat që janë më të ulëta se ajo.

Kjo është ndër pengesat më të mëdha që i pengojnë njerëzit në kërkimin e dijes. Sidomos tek të rinjtë – dhe shumica prej jush janë të rinj – në këtë moshë mund të të shpërqendrojnë nga dija shokët, daljet, argëtimet ose shumë gjëra të tjera që i pëlqen epshit.

Merr nga këto gjëra pjesën tënde, por në atë masë që të mos të pengojnë nga dija.

Disa dijetarë kanë thënë – ndër ta edhe Ibën Ata-il-Lahi:

“Kush i ka fillimet e tij të zjarrta, do t’i ketë përfundimet e tij të ndritshme.”

Pra, kush në fillimet e tij është i fortë dhe i përkushtuar, përfundimi i tij do të jetë i ndritur.

Ngjashëm me këtë është edhe fjala e Ibën Mubarekut, i cili ka thënë:

“Kur të shohësh një këshillë, ose kur të kalosh pranë një muri dhe të shohësh të shkruar mbi të një këshillë, ndalu tek ajo që të marrësh mësim”

Por kuptimi i fesë arrihet vetëm përmes marrjes së dijes drejtpërdrejt dhe dëgjimit. Kjo të tregon se njeriu, sidomos të rinjtë, mund të gjejnë këshilla në vende të ndryshme ku janë me shokët e tyre; këshilla që ua zbusin zemrat ose ua forcojnë vendosmërinë për qëndrueshmëri dhe gjëra të ngjashme.

Por dija kërkon marrje të drejtpërdrejtë nga dijetarët dhe dëgjim prej tyre. Kjo mund të kërkojë largim nga disa gjëra që i pëlqejnë njeriut, prandaj duhet durim.

Siç është thënë: ai që në fillimet e tij në dije ka qenë i fuqishëm dhe i përkushtuar, nëse këtë e ka bërë gjatë rinisë së tij, atëherë ai e ka shfrytëzuar rininë, fuqinë, mprehtësinë e mendjes dhe energjinë që Allahu i ka dhënë, duke i vënë ato në shërbim të dijes.

Atëherë përfundimet e tij do të jenë të ndritshme; ai do të ndriçohet me kuptim të fesë, dije dhe qëndrueshmëri, me lejen e Allahut, dhe do të jetë shkak që edhe të tjerët të përfitojnë prej tij.

Ndërsa ai që në fillimet e tij është i dobët, do të vazhdojë i dobët dhe pa përfitim.

Prandaj, duhet ta përgatitësh veten se rruga e dijes kërkon durim.

Merr si shembull për këtë tregimin e Musait, alejhis-selam, me Hidrin. Ai nuk duroi, dhe për këtë arsye nuk përfitoi prej Hidrit përveç tri çështjeve. Ai nuk pati durim, ndërsa Pejgamberi, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë, siç transmetohet në Sahih:

“Do të dëshironim sikur Musai të kishte bërë durim.”

Domethënë: që të mësonim, të merrnim dhe të njihnim atë që kishte tek robi i Allahut, Hidri.

Durimi në kërkimin e dijes kërkon prej teje forcë; një forcë të fortë dhe të vendosur në shpirt, që të mësosh përmendësh, të kuptosh, të dëgjosh dhe që dija të jetë preokupimi yt kryesor.

Shejh Salih Alu Shejh, Allahu e ruajttë!

(Shkëputur nga ligjërata me titull: Himmetus-selefi fi Talebil-ilm)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button