Një ngjarje që i ngjan historisë së Jusufit
Ibnul-Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë se transmetohet nga Husejn ibën AbduRrahmani, i cili ka thënë:
“Më ka arritur lajmi se një djalosh nga banorët e Medinës falej në të gjitha namazet me Umer ibnl-Hattabin, radijAllahu anhu. Kur mungonte, ai interesohej për të.
Një grua nga banorët e Medinës u dashurua pas tij dhe ia tregoi këtë disa grave që i njihte. Njëra prej tyre i tha: Unë do të gjej një mënyrë që ta fus tek ti!
Ajo u ul pranë rrugës ku kalonte ai. Kur ai kaloi pranë saj, ajo i tha: Unë jam një grua e moshuar dhe kam një dele të cilën nuk mund ta mjel vetë. A do të hyje brenda që të ma mjelësh?
Ai hyri brenda, por nuk pa asnjë dele.
Ajo i tha: Ulu derisa të ta sjell.
Kur papritur gruaja iu shfaq para tij. Kur e pa këtë, ai shkoi te një skaj i shtëpisë dhe u ul aty. Ajo filloi ta joshte për të kryer marrëdhënie me të, por ai refuzoi dhe i tha: ‘Ki frikë Allahun, o grua!’
Ajo vazhdonte të këmbëngulte dhe nuk i kushtonte rëndësi fjalëve të tij. Kur ai vazhdoi ta refuzonte, ajo filloi të bërtiste. Njerëzit erdhën dhe ajo u tha:
Ky hyri tek unë duke më kërkuar të kryente marrëdhënie me mua!
Ata u hodhën mbi të, filluan ta rrihnin dhe e lidhën.
Kur Umeri fali namazin e sabahut dhe ndërsa ishte aty, e sollën djaloshin të lidhur. Kur e pa, Umeri u lut dhe tha:
“O Allah, mos ma zhgënje besimin që kam tek ai.”
Pastaj tha: Çfarë ka ndodhur?
Ata thanë: Një grua kërkoi ndihmë gjatë natës. Shkuam dhe e gjetëm këtë djalosh tek ajo, prandaj e rrahëm dhe e lidhëm.
Umeri i tha djaloshit: Më trego të vërtetën.
Ai tha: O prijës i besimtarëve, ndodhi kështu e kështu.
Umeri tha: A e njeh gruan e moshuar?
Ai tha: Po. Nëse e shoh, do ta njoh.
Atëherë Umeri dërgoi të thërrisnin gratë që banonin pranë saj dhe gratë e moshuara të tyre. Ato u sollën aty. Kur kaloi kjo grua e moshuar, ai tha:
Kjo është ajo, o prijës i besimtarëve.
Umeri e ngriti kamxhikun kundër saj dhe i tha: Më trego të vërtetën.
Ajo i tregoi ngjarjen ashtu siç ia kishte treguar djaloshi.
Atëherë Umeri, radijAllahu anhu, tha:
Falënderimi i takon Allahut që ka bërë të ketë mes nesh dikë të ngjashëm me Jusufin, alejhis-selam.”
(Reudatul-Muhibbin, f. 459)
Përktheu: Besim Gjelaj