Gjykimi për dhënien e selamit banorëve të varrezave kur kalon me makinë pranë tyre
Pyetja: Ky pyetës thotë: Nëse kaloj pranë varrezave, a duhet t’u jap selam atyre, për shembull, ndërsa jam në makinën time dhe mes meje dhe tyre është muri i varrezave, apo selami duhet të jepet vetëm kur ndalem pranë tyre, brenda varrezave?
Përgjigjja: Nëse pa vështirësi mund të ndalesh pranë tyre, atëherë kjo është më parësore dhe më e mirë. Zbret nga makina, qëndron pranë varrezave dhe u jep selam. Por edhe nëse u jep selam nga larg, nuk ka problem – insheeAllah – nëse je afër tyre, në atë mënyrë që ata ta dëgjojnë zërin tënd. Nëse zbret dhe qëndron te muri i varrezave e u flet, kjo është më e plotë dhe më e mirë. Thua:
“Es-selamu alejkum, o banorë të këtyre vendbanimeve, prej besimtarëve dhe muslimanëve! Edhe ne, insheeAllah, do t’ju bashkohemi. Allahu i mëshiroftë ata që kanë kaluar para nesh dhe ata që do të vijnë pas nesh. E lusim Allahun që të na shpëtojë neve dhe juve.”
Gjithashtu mund të thuash: “O Allah, fali ata! O Allah, mëshiroji ata!” E gjithë kjo është e mirë të thuhet pranë murit (të varrezave). Mund të ndalosh te muri dhe të flasësh, ose të hysh brenda dhe t’u japësh selam. Të gjitha këto janë të mira. I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vizitoni varrezat, sepse ato ju kujtojnë ahiretin (botën tjetër).” Dhe nëse njeriu kalon pranë tyre dhe u jep selam, ka shpërblim të madh.
Moderatori: Mirë. Po nëse është në makinë, o Shejh, dhe u jep selam ndërsa është në makinë?
Shejhu: Nëse është afër murit, afër tyre, dhe u jep selam në atë mënyrë që ata ta dëgjojnë zërin e tij, po.
Moderatori: Allahu ju shpërbleftë me të mira.
Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë!
(Nurun ala Dërb, 14/443-444)
Përktheu: Besim Gjelaj
Vizitoni faqen tonë: Indeksi Islam, YouTube-in, Telegramin dhe Facebook-in.