Fjala e Muadh ibën Xhebelit radijAllahu anhu: “Kini kujdes nga rrëshqitja e dijetarit.”

Shejh Rebi elMed’halij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Kjo është kështu, sepse sipas konsensusit (ixhma’it) të umetit, pagabueshmëria u takon vetëm pejgamberëve, alejhimus-salatu ues-selam, në atë që ua kumtojnë njerëzve. Prandaj, e kota nuk u vjen atyre as nga përpara e as nga prapa, dhe ata e përcjellin shpalljen ashtu siç u është dhënë.

Sa u përket të tjerëve, ata nuk janë të pagabueshëm, as nga mëkatet e mëdha, as nga mëkatet e vogla, e as nga gabimet dhe rrëshqitjet në fjalë apo në vepra. Askush nuk është i pagabueshëm.

Prandaj, nëse sheh një dijetar të madh, të devotshëm, të përkushtuar dhe asket, mos thuaj: “Ky është i pagabueshëm.” Nëse të bëhet e qartë se në fjalët e tij ka një gabim, mos e paso në atë gabim, sepse kjo është një rrëshqitje.

Me fjalën “dijetarin” nënkuptohet dijetari të cilit Allahu i ka dhënë urtësi, siç thotë Allahu i Lartësuar: يُؤۡتِي ٱلۡحِكۡمَةَ مَن يَشَآءُۚ وَمَن يُؤۡتَ ٱلۡحِكۡمَةَ فَقَدۡ أُوتِيَ خَيۡرٗا كَثِيرٗاۗ وَمَا يَذَّكَّرُ إِلَّآ أُوْلُواْ ٱلۡأَلۡبَٰبِ

“Ai ia jep urtësinë (të kuptuarit e Kuranit) kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton tjetërkush, përveç njerëzve të mençur.” (Bekare, 269).

Pra, atij i është dhënë një mirësi e madhe, por ai nuk është i mbrojtur nga gabimi dhe rrëshqitja. Prandaj, kini shumë kujdes nga rrëshqitjet e dijetarëve. Nganjëherë rrëshqitja e një dijetari mund të jetë e rrezikshme, sepse ai shihet nga njerëzit me nderim dhe madhërim. Për këtë arsye, duhet të tërhiqet vërejtja ndaj këtyre rrëshqitjeve.

Si e kuptojmë se ai ka rrëshqitur?

Kur bie në kundërshtim me Librin e Allahut dhe Sunetin. Ne kemi një peshore me të cilën i gjykojmë çështjet. Nëse ai gabon në ndonjë dispozitë fetare, duke kundërshtuar një tekst nga Libri i Allahut ose nga Suneti i të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, apo gabon në ndonjë çështje të akides, edhe nëse është përpjekur dhe ka bërë ixhtihad duke dhënë mundin e tij, por ka rënë në një gabim në akide ose në diçka të ngjashme, ne nuk themi: “Ky është dijetar”, apo: “Ky është imami i kësaj kohe”, dhe ta pasojmë në atë gabim. Jo. Përkundrazi, duhet të ruhemi nga rrëshqitja e tij.

Ndërsa sot, gjendja e njerëzve, përveç atyre që Allahu i ka mëshiruar, është në kundërshtim me këtë peshore. Kur ata e vendosin një person si autoritet, ai bëhet vetë peshorja, ndërsa fjalët e tij bëhen kriteri. Nuk lejohet të kundërshtohet, dhe mjerë ai që e kundërshton këtë njeri! Mjerë ai që thotë: ‘Ai ka gabuar!’

Pasha Allahun, këto janë fitnet që e shkatërrojnë umetin. Ky është teprimi (guluvi) që të çon në shkatërrim.

Allahu i Lartësuar thotë: قُلۡ يَٰٓأَهۡلَ ٱلۡكِتَٰبِ لَا تَغۡلُواْ فِي دِينِكُمۡ غَيۡرَ ٱلۡحَقِّ

“Thuaj: ‘O ithtarë të Librit! Mos e teproni në fenë tuaj pa të drejtë.’” (Maide, 77).

Ky ajet ka zbritur për hebrenjtë dhe të krishterët. Po atëherë, ç’të thuhet për muslimanët, të cilët kanë një Libër të qartë, të plotë dhe gjithëpërfshirës, që sqaron çdo çështje, të madhe e të vogël?

Siç ka thënë Ebu Dherri, radijAllahu anhu:

“Vërtet, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem nuk na la pa na mësuar diçka; madje nuk ka asnjë zog që lëviz në qiell, veçse na ka mësuar diçka prej dijes rreth tij.” (Musnedi i Ahmedit, 5/162).

Po ashtu, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“Nuk ka pasur asnjë pejgamber para meje, veçse e kishte detyrë t’ia mësonte umetit të tij të mirën më të madhe që e dinte për ta dhe t’i paralajmëronte nga e keqja më e madhe që e dinte për ta.” (Muslimi 1844).

Prandaj, ky i Dërguar, alejhis-salatu ues-selam, vula e pejgamberëve, më i miri dhe më i kompletuari prej tyre, nuk ka lënë asgjë pa e sqaruar. Mesazhi i tij është më i kompletuari dhe më gjithëpërfshirësi nga të gjitha mesazhet. Nuk ka lënë asnjë të mirë pa na udhëzuar drejt saj dhe asnjë të keqe pa na paralajmëruar prej saj.

Kush është ai që e kupton këtë, e kush është ai që e shpërfill ose e injoron? Sa i përket sqarimit të plotë dhe gjithëpërfshirës për çdo të mirë, atë e përmbajnë, pasha Allahun, Kur’an-i dhe Suneti. E nëse ne nuk e njohim atë, kjo është për shkak të padijes sonë, mangësisë sonë dhe neglizhencës sonë.

Prandaj, përfundimi është ky: askush nuk shenjtërohet. Nuk ka ide apo mendime të shenjta. Ai të cilit i detyrohet bindja, pasimi dhe kapja fort pas fjalëve të tij është Muhamedi, biri i AbdUllahut salAllahu alejhi ue selem, si dhe halifët e drejtë dhe të udhëzuar pas tij.

Ibën Abasi, radijAllahu anhuma, i tha atij që e kundërshtonte duke u mbështetur në fjalët e Ebu Bekrit dhe Umerit, radijAllahu anhuma:

“Kam frikë se mbi ju do të bien gurë nga qielli! Unë ju them: ‘Ka thënë i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem’, ndërsa ju thoni: ‘Kanë thënë Ebu Bekri dhe Umeri!’” (Musnedi i Ahmedit, 1/337).

Ku është ky parim në krahasim me realitetin tonë sot? Ata që janë sprovuar me pasimin e verbër dhe të marrë të disa personave, të cilët nuk janë dijetarë, kanë arritur në këtë mënyrë të gabuar të të menduarit. Ata nuk kanë kuptimin e drejtë (të çështjeve).

Pasha Allahun, ata i kanë humbur mendjet dhe ndërgjegjet e tyre. E kanë shkatërruar veten, e kanë çuar në humbje, kanë humbur umetin dhe i kanë sjellë dëm atij.

Ata duhet të zgjohen nga kjo fatkeqësi në të cilën kanë rënë dhe ta shpëtojnë veten nga ky teprim (guluv) dhe nga kjo humbje.

Pasha Allahun, o vëllezër! Ne nuk e pranojmë teprimin (guluvin) ndaj Muhamedit salAllahu alejhi ue selem, as ndaj shokëve të tij, e as ndaj familjes së tij. Atëherë, si mund ta pranojmë teprimin ndaj dikujt tjetër, prej të cilëve asnjëri nuk barazohet as me një fije floku nga flokët e këtyre njerëzve të nderuar e të devotshëm?!

Ne e refuzojmë teprimin ndaj çdokujt, edhe nëse bëhet fjalë për vetë të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të tij:

“Mos më madhëroni (lavdëroni në mënyrë të tepruar) ashtu siç të krishterët e madhëruan Isain, birin e Merjemes. Unë jam vetëm rob, prandaj thoni: ‘Robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij.’” (Buhariu 2445).”

 (edh-Dheriatu ila Bejani Mekasidi Kitabish-Sheriati 1/235-238)

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button