Transmetohet se Kajs ibën Ebi Hazim ka thënë:

“Isha në Medinë. Teksa po silleshja në treg, arrita te Ahxheruz-Zejt (vend në Medine). Aty pashë disa njerëz të mbledhur rreth një kalorësi që kishte hipur mbi kafshën e tij, dhe ai po shante Ali ibën Ebi Talibin radijAllahu anhu.

Njerëzit qëndronin rreth tij. Në atë çast erdhi Sa‘d ibën Ebi Vekkasi radijAllahu anhu, u ndal pranë tyre dhe tha:

Çfarë është kjo?

Ata thanë:

Një njeri po shan Ali ibën Ebi Talibin.

Atëherë Sa‘di u afrua, dhe njerëzit i hapën rrugë derisa qëndroi pranë tij. Ai i tha:

‘O njeri, për çfarë po e shan Ali ibën Ebi Talibin? A nuk ishte ai prej të parëve që pranoi Islamin? A nuk ishte ai prej të parëve që u fal me të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem? A nuk ishte prej njerëzve më asketë? A nuk ishte prej njerëzve më të ditur?’

Pastaj përmendi edhe virtyte të tjera të tij, derisa tha:

‘A nuk ishte ai dhëndri i të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, i martuar me vajzën e tij? A nuk ishte ai bartësi i flamurit të të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem në betejat e tij?’

Pastaj Sa‘di u kthye nga kibla, ngriti duart dhe tha:

‘O Allah, ky njeri po shan një mik prej miqve të Tu; mos e shpërnda këtë tubim derisa t’ua tregosh atyre fuqinë Tënde.’

Kajsi tha:

Pasha Allahun, nuk u shpërndamë derisa kafsha e tij e hodhi mbi gurë, iu ça koka dhe vdiq.”

(el-Mustedrek ala Sahihajn, nr. 6176. Hakimi tha: I saktë sipas kushtit të dy shejhave (Buhariut dhe Muslimit).

Përktheu: Besim Gjelaj

Artikuj të lidhur

Back to top button