Si duhet të veprojmë kur disa prej shujuhëve selefij kritikojnë njëri-tjetrin?

Pyetje:

Sot është përhapur një dyshim i rrezikshëm mes selefijve. Thonë: ‘Sa herë që kemi besim te një shejh selefi i lavdëruar nga dijetarët, për shkak të dijes së tij, jo për lidhje me personalitetin e tij, ai papritur bie (kritikohet), dhe nuk e dimë arsyen që të ruhemi nga gabimet e tij. Madje bibliotekat tona personale, sa herë që i mbushim me librat e disa shujuhëve, detyrohemi t’i zbrazim përsëri.’

Si duhet t’i përgjigjemi këtij dyshimi që mund të përhapet si sëmundje dhe t’i dëmtojë selefijtë, duke iu dhënë mundësia shejtanit të veprojë me ta? Dhe cila është këshilla juaj për bijtë tuaj selefij?

Përgjigjja:

Ky realitet që përshkroi pyetësi ekziston, dhe e ndjej edhe unë. Për ta sqaruar çështjen, përmendim këto pika:

1.Nuk do të thotë selefizmi që selefiu të mos gabojë, qoftë nxënës i vogël apo dijetar i madh. I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo bir i Ademit gabon, dhe më të mirët prej atyre që gabojnë janë ata që pendohen.”

2.Jo çdo gabim e bën personin të trajtohet si bidatçi. Kjo është shumë e rëndësishme dhe dallim mes selefijve dhe atyre që e teprojnë në këtë aspekt, prej tyre hadaditë, për të cilën kritikohen ata sepse nuk bëjnë dallim mes gabimit të një selefiu dhe atij të një bidatçiu. Pasuesi i sunetit këshillohet dhe pritet të kthehet te e vërteta. Kjo nuk është as dobësi dhe as nënshtrim i ulët, por është guxim moral, me të cilin muslimani e vë veten para përgjegjësisë ndaj Zotit të tij; sepse e vërteta është më parësore që të ndiqet.

3.Nuk do të thotë selefizmi që të mos ketë mospajtime në çështje ixhtihadije (ku lejohet mendimi ndryshe). Dhe kjo është një realitet për të cilin dëshmojnë edhe sahabët. Nuk do të thotë që, fakti se selefiu ndjek Kur’anin dhe Sunetin sipas kuptimit të muslimanëve të parë të mirë, që të mos ketë mospajtime në çështjet ixhtihadije. Madje edhe katër imamët, nga imamët e pasuesve të selefit të mirë, kanë pasur ndërmjet tyre mospajtime në çështje të dijes ixhtihadije, gjë që është e njohur dhe e ditur.

4.Nuk do të thotë selefizmi që selefiu të mos ketë sëmundje të zemrës, si dashuria për famë apo kokëfortësia me vëllezërit e vet. Ndërkohë që muslimani është pasqyra e vëllait të tij musliman; ai e këshillon dhe e udhëzon atë. Dhe Allahut i kërkohet ndihma.

5.Nuk është nga metoda selefije detyrimi për të ndjekur mendimin e dikujt, përveç të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, sidomos në çështjet ixhtihadije.

6.Mund të ndodhë që një dijetar selefi të kritikojë një tjetër për ndonjë mangësi, por kjo nuk do të thotë rrëzim i tij. Duhet të kemi mendim të mirë dhe ta konsiderojmë si ixhtihad (përpjekje) të tij, ku ai është mes dy shpërblimeve nëse ia qëllon dhe një shpërblimi nëse gabon.

7.Nëse kritikohet dikush që njihet për drejtësi dhe besueshmëri, nuk pranohet kritika përveç nëse sqarohet arsyeja dhe shpjegohet kritika (xher’hi); përndryshe, ai nuk trajtohet si dikush për të cilin flitet (kritikohet) që në fillim, apo si dikush që nuk dihet besueshmëria dhe drejtësia e tij.

8. Të kesh mendim të mirë (për të tjerët) është parësorë; prandaj mos mendo keq për vëllain tënd musliman, përderisa mund t’i gjesh një shpjegim në të mirë.

9. Nuk ka shenjtërim të personave. Dhe pyetësi – Allahu e shpërbleftë me të mira – e ka vënë re këtë në fjalën e tij: “Jo për shkak të lidhjes sonë me personalitetin e tij.”

10.Jo kushdo që kritikohet bie, dhe jo çdo fjalë kundër dikujt konsiderohet kritikë e vlefshme.

11.Nuk është nga selefizmi përpjekja e vazhdueshëme për të marrë lavdërime (tezkije) nga dijetarët dhe të vrapohet pas tyre (tezkijeve). Muslimanin e vlerësojnë para së gjithash dija dhe veprat e tij. As toka nuk e shenjtëron askënd, as prejardhja nuk e shenjtëron askënd, dhe as të folurit për kritikimin e njerëzve nuk e shenjtëron askënd.

12.Nuk është nga metoda e selefizmit gëzimi për gabimet e njerëzve, kritika e tyre, apo ndjekja e këtyre gjërave pa nevojë. Nxënësi i dijes duhet të shmangët nga futja në këto çështje dhe t’ua lërë ato në dorë dijetarëve, në mënyrë që të mos shkaktojë ndezjen e fitnesë apo përhapjen e saj. Përkundrazi, ai e qetëson fitnen duke u larguar nga zjarri i saj, me durim, me mendim të mirë për të tjerët dhe duke e lënë çështjen tek dijetarët. Prej Allahut është suksesi.

Shejh Muhamed Bazmul, Allahu e ruajttë!

Përktheu: Besim Gjelaj

Back to top button